Friday, March 10, 2017

SI BËHET RUKUJA?

SI BËHET RUKUJA?

Ejup Haziri

Hyrje
Në temën paraprake veç kam shtjelluar tematikën e shkuarjes në ruku pa i ngritur duart fare, ngase medhhebi i Aliut dhe Abdullah ibën Mesudit është i ngritur në opinione të tilla, sikurse edhe i shumë sahabëve dhe tabiinëve. Në këtë punim do të flasim për tematika të ndryshme që kanë të bëjnë me rukunë, si fjala vjen koha e shkuarjes në ruku, vendosja e duarve në gjunj, shpina e koka të jenë të rrafshët dhe në një vijë horizontale, pa u ngritur njëra më shumë se tjetra e as pa u ulur njëra më tepër se tjetra.
SHKUARJA NË RUKU DUKE SHQIPTUAR SINTAGMËN “ALLAHU EKBER”
Pas qëndrimit në këmbë (قيام) që është pjesë përbërese e namazit (ركن) dhe leximit të Kur’anit, shkohet në ruku duke thënë “AllahuEkber”. Edhe rukuja, sikurse kijami-qëndrimi në këmbë është pjesë përbërese e namazit (ركن). Thotë Allahu i Madhërishëm:
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ارْكَعُوا وَاسْجُدُوا...
“O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde...”
Shkuarja në ruku është obligim i domosdoshëm, gjegjësisht pjesë përbërese e namazit, pa të cilën namazi nuk është në rregull, ndërsa shtrirja e duarvë mbi gjunjë, lënia e gishtërinjve hapur, drejtimi i shpinës dhe kokës, dhe thënia e duave, gjegjësisht madhërimi që bëhet në ruku janë sunete të namazit, ndonëse ka mendime se madhërimi në ruku është rukn, megjithatë këto mendime janë mendime që nuk kanë përfaqësim të madh tek fukahatë dhe më tepër shihen si mendime të izoluara.
Ibën Omeri dhe disa tjerë janë të mendimit se nuk ka nevojë të shprehet sintagma “Allahu Ekber” gjatë shkuarjes në ruku e sexhde, megjithatë ky mendimnuk gjen përkrahje dhe mbështetës dhe mund të them se mbetet si mendim jo i pranuar tek fukahatë, për shkak se tekstet në këtë çështje janë të qarta dhe e vërtetojnë të kundërtën e këtij mendimi. Pastaj janë edhe sahabët e mëdhenj sikurse Omeri, Aliu, Abdullah ibën Mesudi dhe të tjerët që e shqiptonin sintagmën “Allahu Ekber”, gjatë shkuarjes në ruku dhe sexhde, gjegjësisht në çdo ulje e ngritje. Megjithatë kjo sintagmë nuk e ka tretmanin e njëjtë sikurse sintagma në fillim të namazit, gjegjësisht gjatë hyrjes në namaz.
Tirmidhiu në koleksionin e tij përcjell hadithin e transmetuar nga Abdullah ibën Mesudi, në të cilin tekstualisht shprehet se i Dërguari i Allahut shqiptonte sintagmën “Allahu Ekber” në çdo ulje, ngritje dhe rënie:
حَدَّثَنَا قُتَيْبَةُ قَالَ: حَدَّثَنَا أَبُو الأَحْوَصِ، عَنْ أَبِي إِسْحَاقَ، عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ الأَسْوَدِ، عَنْ عَلْقَمَةَ، وَالأَسْوَدِ، عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ مَسْعُودٍ، قَالَ: «كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يُكَبِّرُ فِي كُلِّ خَفْضٍ وَرَفْعٍ، وَقِيَامٍ وَقُعُودٍ، وَأَبُو بَكْرٍ، وَعُمَرُ».
Na ka treguar Kutejbeh i cili thotë: Na ka treguar Ebu-l Ahvesi nga Ebu Is’haku, ky nga Abdurrahman ibën el-Esedi, ky nga Alkame, ky nga Esedi, e ky nga Abdullah ibën Mesudi, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut shqiptonte tekbirin kur shkonte në ruku, ngrihej prej saj, kur ngrihej për (rekat) dhe kur ulej. Po kështu vepruan edhe Ebu Bekri dhe Omeri.”
Hadithi në vijim është më detajizues, sepse përshkruan më detajisht vendet në të cilat shqiptohet fjala “Allahu Ekber”, në çdo ulje e rënie:
حَدَّثَنَا مُحَمَّدُ بْنُ رَافِعٍ، حَدَّثَنَا عَبْدُ الرَّزَّاقِ، أَخْبَرَنَا ابْنُ جُرَيْجٍ، أَخْبَرَنِي ابْنُ شِهَابٍ، عَنْ أَبِي بَكْرِ بْنِ عَبْدِ الرَّحْمَنِ، أَنَّهُ سَمِعَ أَبَا هُرَيْرَةَ، يَقُولُ: «كَانَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا قَامَ إِلَى الصَّلَاةِ يُكَبِّرُ حِينَ يَقُومُ، ثُمَّ يُكَبِّرُ حِينَ يَرْكَعُ» ثُمَّ يَقُولُ: «سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَهُ حِينَ يَرْفَعُ صُلْبَهُ مِنَ الرُّكُوعِ» ثُمَّ يَقُولُ: وَهُوَ قَائِمٌ «رَبَّنَا وَلَكَ الْحَمْدُ، ثُمَّ يُكَبِّرُ حِينَ يَهْوِي سَاجِدًا، ثُمَّ يُكَبِّرُ حِينَ يَرْفَعُ رَأْسَهُ، ثُمَّ يُكَبِّرُ حِينَ يَسْجُدُ، ثُمَّ يُكَبِّرُ حِينَ يَرْفَعُ رَأْسَهُ، ثُمَّ يَفْعَلُ مِثْلَ ذَلِكَ فِي الصَّلَاةِ كُلِّهَا حَتَّى يَقْضِيَهَا وَيُكَبِّرُ حِينَ يَقُومُ مِنَ الْمَثْنَى بَعْدَ الْجُلُوسِ» ثُمَّ يَقُولُ: أَبُو هُرَيْرَةَ «إِنِّي لَأَشْبَهُكُمْ صَلَاةً بِرَسُولِ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ»
Na ka treguar Muhamed ibën Rafi’ nga Abdurrezaku i cili thotë: “Na ka informuar Ibën Xhurejxhi nga Ibën Shihabi e ky nga Ebu Bekr ibën Abdurrahmani i cili e ka dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: “I Dërguari i Allahut kur ngrihej për t’u falur shqiptonte fjalën “Allahu Ekber”, pastaj kur shkonte në ruku shqiptonte gjithashtu tekbirin (Allahu Ekber), më pas ngrihej nga rukuja dhe thoshte: “SemiAllahu limen hamideh”. Ai po ashtu thoshte përderisa ishte në këmbë: “Rabbena ve leke-l hamd”, e pastaj shqiptonte tekbirin dhe shkonte në sexhde. Ai po ashtu shqiptonte tekbirin kur e ngrinte kokën nga sexhdeja, e po kështu vepronte në tërë namazin derisa përfundonte. Gjithashtu shqiptonte tekbirin edhe kur ngrihej nga rekati i dytë, pas uljes.” Më pas Ebu Hurejre tha: “Unë po ua shëmbëllejë juve namazin e të Dërguarit të Allahut.”
Janë të shumta hadithet që flasin për këtë tematikë, e që transmetohen nga sahabë të ndryshëm, ku përmbajtja thuajse është e njëjtë.
KOHA E SHKUARJES NË RUKU
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se koha e shkuarjes në ruku është atëherë kur përfundon nga leximi i Kur’anit. Kështu qëndron edhe në praktikë në të gjitha vendet e shtrirjes së Islamit. Mirëpo dijetarët kanë polemizuar se a lejohet të shkohet në ruku para përfundimit të leximit të Kur’anit, si fjala vjen gjatë fjalës së fundit apo edhe më tepër se një fjalë? Në këtë çështje janë të ndarë në dysh, ku shumica mendojnë se duhet të përfundohet leximi i Kur’anit, e më pas të shkohet në ruku, ndonëse një pjesë e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka të keqe nëse shkohet në ruku kur ka mbetur nga leximi i Kur’anit një shkronjë apo edhe një fjalë. Madje, ka shumë imamë që gjatë faljes së tyre veprojnë kështu. Megjithatë mendimi i parë është më i fuqishëm, sepse leximi i Kur’anit është bërë obligim gjatë qëndrimit në këmbë e jo në ruku.
Një tjetër element në këtë tematikë është edhe sintagma “Allahu Ekber” që shprehet për të shkuar në ruku, ku dijetarët kanë polemizuar se a duhet të shqiptohet ajo sintagmë në këmbë e më pas të shkohet në ruku, apo të shqiptohet gjersa shkohet në ruku. Disa kanë thënë se duhet të shqiptohet tekbiri në këmbë e më pas të shkohet në ruku, e disa tjerë kanë thënë se shqiptohet tekbiri përgjatë shkuarjes në ruku, gjegjësisht fillohet të shqiptohet tekbiri atëherë kur fillohet të shkohet në ruku dhe përmbyllet tekbiri atëherë kur je plotësisht në ruku. Shejbani në “el-Xhami’ es-Sagir” thotë: “E shqipton tekbirin duke shkuar në ruku.”
VENDOSJA E DUARVE MBI GJUNJ
Pasi të shqiptojmë sintagmën “Allahu Ekber”, shkojmë në ruku, gjegjësisht përkulemi dhe dora e djathtë vendoset mbi gjurin e djathtë, përderisa e majta mbi gjurin e majtë. Gishtërinjët e dorës mbesin të hapur, e jo të bashkuar. Në dhjetë pika ku dallon mënyra e të falurit të femrës nga mashkulli, dy dallime prej tyre janë në ruku (përderisa për dy dallimet tjera kemi folur gjatë ngritjes së duarve në tekbirin fillestar dhe vënien e duarve për femrat mbi gjoks). Tek burrat, zakonisht duart duhet të jenë të hapura dhe të drejta, pa u kërrulur ato. Vendi i nënsqetullave tek burrat duhet të jetë i hapur, gjersa tek gratë preferohet të jetë sa më i mbyllur. Ndërsa dallimi tjetër është tek duart e pozicionuara në ruku, ku burrat vendosin duart, gjegjësisht shuplakat e duarve të tyre mbi gjunj, ndërsa gratë i vendosin duart mbi kofshat e tyre, ku gishtat e duarve të tyre arrijnë në gjunj, e pjesa e duarve mbi kofshë.
Autori i librit të njohur “el-Hidajeh”, thotë: “Gishtërinjët nuk preferohen të mbesin të hapur, përveç këtij rasti (rukusë), për shkak të përfshirjes së kapjes së gjurit, ndërsa në sexhde duhet të jenë të bashkuar, e jo të hapur. Ndërsa në vende tjera, mbesin në formë të zakonshme.”
Abdullah ibën Omeri na transmeton hadithin që flet për rukunë dhe vënien e duarve mbi gjunj, duke i lënë gishtërinjët e hapur:
أَخْبَرَنَا الْحُسَيْنُ بْنُ مُحَمَّدِ بْنِ مُصْعَبٍ السِّنْجِيُّ، حَدَّثَنَا مُحَمَّدُ بْنُ عُمَرَ بْنِ الْهَيَّاجِ، حَدَّثَنَا يَحْيَى بْنُ عَبْدِ الرَّحْمَنِ الْأَرْحَبِيُّ، حَدَّثَنِي عُبَيْدَةُ بْنُ الْأَسْوَدِ، عَنِ الْقَاسِمِ بْنِ الْوَلِيدِ، عَنْ سِنَانِ بْنِ الْحَارِثِ بْنِ مُصَرِّفٍ، عَنْ طَلْحَةَ بْنِ مُصَرِّفٍ، عَنْ مُجَاهِدٍ،عَنِ ابْنِ عُمَرَ، قَالَ: جَاءَ رَجُلٌ مِنَ الْأَنْصَارِ إِلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، كَلِمَاتٌ أَسْأَلُ عَنْهُنَّ، قَالَ: «اجْلِسْ»، وَجَاءَ رَجُلٌ مِنْ ثَقِيفٍ، فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، كَلِمَاتٌ أَسْأَلُ عَنْهُنَّ، فَقَالَ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «سَبَقَكَ الْأَنْصَارِيُّ»، فَقَالَ الْأَنْصَارِيُّ: إِنَّهُ رَجُلٌ غَرِيبٌ، وَإِنَّ لِلْغَرِيبِ حَقًّا، فَابْدَأْ بِهِ، فَأَقْبَلَ عَلَى الثَّقَفِيِّ، فَقَالَ: «إِنْ شِئْتَ أَجَبْتُكَ عَمَّا كُنْتَ تَسْأَلُ، وَإِنْ شِئْتَ سَأَلْتَنِي وَأُخْبِرْكَ»، فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، بَلْ أَجِبْنِي عَمَّا كُنْتُ أَسْأَلُكَ، قَالَ: «جِئْتَ تَسْأَلُنِي عَنِ الرُّكُوعِ، وَالسُّجُودِ، وَالصَّلَاةِ، وَالصَّوْمِ»، فَقَالَ: لَا وَالَّذِي بَعَثَكَ بِالْحَقِّ مَا أَخْطَأْتَ مِمَّا كَانَ فِي نَفْسِي شَيْئًا، قَالَ: «فَإِذَا رَكَعْتَ، فَضَعْ رَاحَتَيْكَ عَلَى رُكْبَتَيْكَ، ثُمَّ فَرِّجْ بَيْنَ أَصَابِعِكَ، ثُمَّ أَمْكُثْ حَتَّى يَأْخُذَ كُلُّ عُضْوٍ مَأْخَذَهُ…
Na ka treguar el-Husejn ibën Muhamed ibën Mus’ab es-Sinxhij, na ka treguar Muhamed ibën Omer ibën el-Hejjaxh nga Jahja ibën Abdurrahman el-Erhabij, nga Ubejde ibën el-Esved, nga Kasim ibën el-Velid, nga Sinan ibën el-Harith ibën Musarrif, nga Talha ibën Musarrif, nga Muxhahidi, e ky nga Ibën Omeri, i cili transmetohet të ketë thënë: “Erdhi një njeri nga ensarët tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, dua të të pyes për disa fjalë!”. I Dërguari i Allahut i tha: “Ulu!” Më pas erdhi një njeri nga thekifi dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, dua të të pyes për disa fjalë!” I Dërguari i Allahut i tha: “Të parapriu ensariu!” Ensariu i tha: “Ai njeri është i huaj, andaj po i jap përparësi atij, pra fillo me të. I Dërguari i Allahut i tha atij që erdhi nga thekifi: “Nëse do, unë të informoj, e nëse do pyet e unë të përgjigjem?!” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, përgjigju ndaj pyetjeve të mia që unë doja të të pyesja ty!” Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Ti erdhe të më pyesësh mua për rukunë, sexhden, namazin dhe agjërimin!” Ai tha: “Pasha Atë që të ka dërguar ty me të vërtetën, nuk gabove asgjë sepse unë ashtu doja të të pyesja ty.” Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: “Kur të bësh rukunë, vendosi duart tua mbi gjunjët tu, gishtat tu le të jenë të hapur, qëndro ashtu derisa të pushon secila pjesë e trupit në vendin e vet...”
Gjithashtu edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, i njohur si hadithi i keqfalësit të namazit:
حَدَّثَنَا مُسَدَّدٌ، قَالَ: أَخْبَرَنِي يَحْيَى بْنُ سَعِيدٍ، عَنْ عُبَيْدِ اللَّهِ، قَالَ: حَدَّثَنَا سَعِيدٌ المَقْبُرِيُّ، عَنْ أَبِيهِ، عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ: أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ دَخَلَ المَسْجِدَ، فَدَخَلَ رَجُلٌ، فَصَلَّى، ثُمَّ جَاءَ، فَسَلَّمَ عَلَى النَّبِيِّ صلّى الله عليه وسلم فَرَدَّ النَّبِيُّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ عَلَيْهِ السَّلاَمَ، فَقَالَ: «ارْجِعْ فَصَلِّ فَإِنَّكَ لَمْ تُصَلِّ»، فَصَلَّى، ثُمَّ جَاءَ، فَسَلَّمَ عَلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ: «ارْجِعْ فَصَلِّ، فَإِنَّكَ لَمْ تُصَلِّ» ثَلاَثًا، فَقَالَ: وَالَّذِي بَعَثَكَ بِالحَقِّ، فَمَا أُحْسِنُ غَيْرَهُ، فَعَلِّمْنِي، قَالَ: «إِذَا قُمْتَ إِلَى الصَّلاَةِ، فَكَبِّرْ، ثُمَّ اقْرَأْ مَا تَيَسَّرَ مَعَكَ مِنَ القُرْآنِ، ثُمَّ ارْكَعْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ رَاكِعًا، ثُمَّ ارْفَعْ حَتَّى تَعْتَدِلَ قَائِمًا، ثُمَّ اسْجُدْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ سَاجِدًا، ثُمَّ ارْفَعْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ جَالِسًا، ثُمَّ اسْجُدْ حَتَّى تَطْمَئِنَّ سَاجِدًا، ثُمَّ افْعَلْ ذَلِكَ فِي صَلاَتِكَ كُلِّهَا»
Na ka treguar Museddedi, i cili ka thënë: Më ka informuar Jahja ibën Seid nga Ubejdilahi, i cili thotë: Na ka treguar Seid el-Makburij nga babai i tij e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut –salallahu alejhi ve sel-lem- hyri në xhami. Pastaj hyri një njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti të Dërguarin e Allahut. I Dërguari ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!” Ai u fal dhe erdhi tek i Dërguari i Allahut, të cilin e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha përsëri: “Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!” Kështu i tha tri herë, ndërsa ai ia ktheu: “Pasha Atë që ty të dërgoi me të vërtetën, nuk di përveç asaj mënyrë (që u fala), prandaj më mëso.” I Dërguari i Allahut i tha: “Kur të hysh për namaz, shqiptoje tekbirin, pastaj lexo diç nga Kur’ani që të vie më lehtë, e më pas shko në ruku derisa (gjymtyrët e trupit) të qetësohesh plotësisht, pastaj ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh plotësisht e më pas lëshohu për në sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht. Ngrihu nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh plotësisht, e më pas lëshohu prapë për sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht, e kështu vepro gjatë tërë namazit.”
SHPINA TË JETË E RRAFSHËT
Shpina duhet të jetë e rrafshët, e koka të jetë paralel, gjegjësisht në të njëjtin drejtim me shpinën, as e ulur poshtë e as e ngritur. E në ruku duhet thënë: “Subhane rabbije-l adhim-”, së paku tre herë.
وَأَخْبَرَنَا أَبُو حَازِمٍ الْحَافِظُ، أنبأ أَبُو أَحْمَدَ الْحَافِظُ، أنبأ أَبُو الْعَبَّاسِ مُحَمَّدُ بْنُ إِسْحَاقَ الثَّقَفِيُّ، ثنا الْحُسَيْنُ بْنُ عَلِيٍّ الصُّدَائِيُّ، حَدَّثَنِي أَبِي عَلِيُّ بْنُ يَزِيدَ، عَنْ زَكَرِيَّا بْنِ أَبِي زَائِدَةَ، عَنْ أَبِي إِسْحَاقَ، عَنِ الْبَرَاءِ قَالَ: كَانَ النَّبِيُّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ " إِذَا رَكَعَ بَسَطَ ظَهْرَهُ…
Na ka informuar Ebu Hazim el-Hafidh nga Ebu Ahmed el-Hafidh, ky nga Ebu-l Abad Muhamed ibën Is’hak eth-Thekafij, ky nga el-Husejn ibën Alij es-Sadalij, ky nga Ebu Alij ibën Jezid, ky nga Zekerija ibën Ebu Zaideh, ky nga Ebu Is’haku, e ky nga Berra ibën Azib, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut kur shkonte në ruku, e shtrinte shpinën e tij (ishte e rrafshët)...”
Shpina e të Dërguarit të Allahut gjatë rukusë ishte e rrafshët dhe e drejtuar, aq sa dikush e përshkroi atë se edhe po ta vëndosje gotën me ujë mbi shpinën e tij nuk do të derdhej:
حَدَّثَنَا إِبْرَاهِيمُ بْنُ مُحَمَّدِ بْنِ يُوسُفَ الْفِرْيَابِيُّ قَالَ: حَدَّثَنَا عَبْدُ اللَّهِ بْنُ عُثْمَانَ بْنِ عَطَاءٍ قَالَ: حَدَّثَنَا طَلْحَةُ بْنُ زَيْدٍ، عَنْ رَاشِدٍ، قَالَ: سَمِعْتُ وَابِصَةَ بْنَ مَعْبَدٍ، يَقُولُ: رَأَيْتُ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يُصَلِّي، «فَكَانَ إِذَا رَكَعَ سَوَّى ظَهْرَهُ، حَتَّى لَوْ صُبَّ عَلَيْهِ الْمَاءُ لَاسْتَقَرَّ»
Na ka treguar Ibrahim ibën Muhamed ibën Jusuf el-Firjabij nga Abdullah ibën Othman ibën Ata, ky nga Talha ibën Zejd, e ky nga Rashidi i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Vabisah ibën Ma’bed duke thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut duke u falur, saqë kur e bënte rukunë, e drejtonte shpinën e tij, aq sa edhe po t’i vendosej atij uji (në shpinë), do të qëndronte ashtu (uji pa u derdhur).”
Gjatë qëndrimit në ruku, shpina, ashtu siç elaborova, të jetë e rrafshët, e jo të jetë si shpina e devesë, në formë të harkut. Kërkohet që rukuja të bëhet në formë të kërkuar, e jo bëhet vetëm një kërrusje e shkurtër apo të ulet koka më tepër. Shume namazfalës janë të pakujdesshëm në rukunë e tyre, ata ose nuk përkulen aq sa kërkohet, ku ose koka ose shpina nuk janë të rrafshët dhe paralel me njëra-tjetren, ose përkulja është edhe më e theksuar se që kërkohet. Disa përkulën me një përkulje të lehtë, ku zakonisht koka nuk është paralel me shpinën, e disa nuk e drejtojnë shpinën gjatë përkuljes së tyre. Në raste të tilla, rukuja nuk i plotëson kushtet.As nuk duhet ngritur koka e as nuk duhet ulur, por duhet të jetë paralel me shpinën, gjegjësisht të jetë shpina në vijë të drejtë me kokën dhe anasjelltas.