Monday, December 28, 2015

Falja e namazit sipas methebit hanefi


Falja e namazit sipas methebit hanefi
(mashkull dhe femer)



Për namazin e mashkullit që falet vetëm po sjellim një shembull Sunnetin e namazit të sabahut i cili falet kështu:

1. Së pari kthehemi nga kiblja. Këmbët i mbajmë paralelisht të ndara nga njëra-tjetra në largësi rreth katër gishta. Gishtat të mëdhenj të duarve i ngritim afër veshëve, pëllëmbët të hapura i kthejmë nga kiblja dhe me zemër e gojë shqiptojmë: “E bëra nijet (vendosa) për kënaqësi të Zotit të fal sunnetin e namazit të sabahut të sotëm, u ktheva nga kiblja dhe u ujdisa(ndjek) Kuranit” dhe e shqiptojmë tekbirin: All-llahu ekber, e pastaj i bashkojmë duart nën kërthizë duke vënë dorën e djathtë mbi të majtën.

2. Sytë i drejtojmë në vendin ku do të bëjmë sexhdenë, dhe lexojmë: a) Subhaneke, b) Eudhu Besmelen, pastaj Fatihanë, c) pas Fatihasë, pa lexuar Besmelen, lexojmë një sure (të shkurtër).

3. Pas leximit të sures, duke thënë All-llahu ekber, përkulemi në ruku. Me duar mbulojmë kapakët e gjunjëve, belin e mbajmë drejt dhe duke mos i ndarë sytë nga këmbët, themi: Subhane rabbije-l-adhîm tri herë. Mund të thuhet edhe pesë ose shtatë herë.

4. Duke thënë Semiall-llahu limen hamideh, drejtohemi dhe, kur qëndrojmë drejt, shqiptojmë: Rabbena leke-l-hamd.

5. Pa qëndruar shumë në këmbë, duke thënë All-llahu ekber biem në sexhde. Duke rënë në sexhde në tokë vëmë me radhë: a) gjurin e djathtë, pastaj gjurin e majtë, pastaj dorën e djathtë, dorën e majtë, hundën dhe ballin; b) gishtat e këmbëve mblidhen në drejtim të kibles, c) koka vihet në mes dy duarve; ç) gishtat e duarve shtrihen përpara, d) së bashku me brendinë e pëllëmbëve shtrihen përtokë; dh) duke qenë në këtë gjëndje, themi së paku tri herë: Subhane rabbije-l-a’la.

6. Duke thënë All-llahu ekber ngrihemi nga sexhdja dhe këmba e majtë shtrihet në tokë, gishtat e këmbës së djathtë mblidhen në drejtim të kibles dhe ulemi në gjunjë. Duart vihen mbi gjunjë me gishta të shtrirë.

7. Pa ndenjur ulur tepër në gjunjë, duke thënë All-llahu ekber kthehemi prapë në sexhden e dytë.

8. Përsëri, në sexhde, së paku tri herë, themi Subhane rabbije-l-a’la dhe duke shqiptuar All-llahu ekber, ngrihemi në këmbë. Duke u ngritur nga sexhdja, së pari duhet ngritur balli nga toka, pastaj hunda, e pastaj dora e majtë dhe dora e djathtë dhe në fund gjuri i majtë dhe i djathti.

9. Kur marrim pozitën në këmbë, për të filluar rekatin e dytë, pas Besmeles lexojmë Fatihanë, e pastaj një sure (të shkurtër) dhe duke shqiptuar All-llahu ekber, përkulemi në ruku.

10. Edhe rekati i dytë bëhet deri në fund në atë mënyrë siç është përshkruar rekati i parë. Vetëm që pas sexhdes së dytë, kur të themi All-llahu ekber, pa u ngritur në këmbë, ulemi në gjunjë dhe:

a) Pasi t’i lexojmë lutjet (duatë): Ettehijjatu, All-llahumme sal-li, All-llahumme barik dhe Rabbena âtîna, japim selam, së pari në anën e djathtë duke thënë Esselâmu alejkum ve rahmetull-llah, e pastaj në të majtën Esselâmu alejkum ve rahmetull-llah.

b) Pasi të japim selam, themi: All-llahumme entesselamu ve minkes selâm tebarekte jâ dhe-l-xhelâli vel ikrâm, dhe pa folur fare, ngrihemi të falim farzin e sabahut. Sepse, të flasësh ndërmjet sunnetit dhe farzit, edhe pse nuk e prish namazin, i pakëson sevapet.

Pas namazit, këndohen: tri herë Estagfirull-llah, pastaj Ajetel kursija dhe tridhjetë e tre herë Subhanall-llah, tridhjetë e tre herë Elhamdulil-lah dhe tridhjetëetre herë All-llahu ekber. Këto duhen kënduar pa zë. Të këndosh me zë është bidat(shtesë).

Më pastaj bëhet duaja. Në dua meshkujt i çojnë duart në lartësi të gjoksit. Hapen pëllëmbët. Brendia e shuplakës kthehet drejt qiellit. Sepse ashtu siç është Qabeja kible e namazit, ashtu është qielli kible e lutjes. Pas duasë, duke lexuar ajetin Subhane rabbike..., i fërkojmë duart për fytyre.

Për rekatin e dytë në sunnete dhe farzet katër rekatëshe lexohet Ettehijatu dhe çohemi në këmbë. Në rekatet e treta dhe të katërta të sunneteve, pas Fatihasë, këndohet një sure (e shkurtër). Në rekatet e treta e të katërta të farzeve këndohet vetëm Fatihaja. Edhe farzi i akshamit falet kështu. Pra, në rekatin e tretë të tij nuk këndohet sureja. Kurse në namazin e vitrit në çdo rekat, pas Fatihasë, këndohet sure shtesë. Në rekatin e fundit pas sures merret tekbir dhe duart ngrihen te veshët. Pastaj këndohen duatë e Kunutit. Edhe sunnetet e para të ikindisë dhe jacisë, që janë Gajri muekked, janë si sunnetet e tjera, veçse në ndenjen pas rekatit të dytë, pas Tehijatit, këndohen edhe Salavatet.



Namazi i gruas që falet vetëm





Për shembull, Sunneti i namazit të sabahut falet kështu:

1. Së pari mbulohet trupi prej kokës deri te këmbët. Vetëm duart dhe fytyra mbeten të pambuluara. Suret dhe duatë që do t’i këndojë në namaz, janë sikur të namazit të mashkullit që falet vetëm. Ndërsa pjesët që ndryshojnë janë këto:

a) Duart nuk i ngrenë si meshkujt afër veshëve; duke i çuar duart në lartësinë e supeve, gruaja e bën nijet, merr tekbir, i lidh duart mbi gjoks dhe fillon namazin.

b) Në ruku nuk qëndron plotësisht drejt.

c) Në sexhde bërrylat i shtrin në tokë.

ç) Në tehijat ulet mbi kofsha. Domethënë, këmba e djathtë dhe e majtë janë në anë të djathtë, dhe ulet mbi të majtën.

Për gratë, forma më e lehtë për t’u mbuluar mirë në namaz, është një shami e gjerë që do t’i mbulojë edhe duart edhe një fund i gjatë e i gjërë, që do t’i mbulojë edhe këmbët.

No comments:

Post a Comment