Sunday, December 20, 2015

A ndalohet mbajtja e rrobave që bien nën zogthin e këmbëve?


A ndalohet mbajtja e rrobave që bien nën zogthin e këmbëve?


Kjo është një nga çështjet për të cilat gjithmonë diskutohet dhe bëhen debate dhe i jepet rëndësi më tepër sesa i takon. Në vazhdim do të përmendnim disa hadithe të cilat flasin për këtë temë dhe si i kanë kuptuar dijetarët muslimanë.

Transmeton Ebu Dheri r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Tre njerëzve Allahu nuk do t’u drejtohet në Ditën e Gjykimit, as do t’i shikojë, as do t’i pastrojë, dhe ata i pret një vuajtje e dhembshme.” Pasi që Pejgamberi s.a.v.s., i përsëriti tri herë këto fjalë, Ebu Dherri e pyeti: “Janë të humbur dhe të shkatërruar, o Pejgamber i Allahut, po cilët janë ata?” Ai u përgjigj: “Ai që bartë veshjen poshtë zogthave të këmbëve, ai i cili, pasi bënë mirë i qorton njerëzit, dhe ai që, për ta shitur mallin e vet, betohet rejshëm.” (Muslim, Ebu Davud, Nesai, Ibn Maxhe, etj.)

Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Gjithçka prej pantallonave që është deri nën zoktha është në zjarr”. (Buhari, Nesai i dr.)
Në këto hadithe është përmendur kërcënimi dhe ndalimi, duke mos sqaruar kuptimin dhe shkakun, e që përmendet në hadithet e tjera të cilët do t’i përmendim.
Abdullah ibën Umeri shënon se Pejgamberi s.a.v.s. ka deklaruar: “Ai që nga mendjemadhësia lëshon veshjen e tij që t’i tërhiqet zvarrë, Allahu nuk do ta shikojë në Ditën e Gjykimit.” Atëherë Ebu Bekri e pyeti: “Një pjesë e veshjes sime është zgjatur (pas larjes) dhe zvarritet nëpër tokë nëse nuk kam kujdes.” Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: “Ti nuk je prej atyre që e bëjnë këtë nga mendjemadhësia”. (Buhari)

Transmetohet nga Ebu Bekri r.a. se ka thënë: “Derisa ishim në shtëpinë e Pejgamberit s.a.v.s. u zu dielli, dhe ai u ngrit duke tërhequr veshjen e tij derisa arriti në xhami.” (Buhari)
Në bazë të haditheve të përmendura, shumica e dijetarëve muslimanë konsiderojnë se lëshimi i rrobave nën zogtha është haram nëse kjo bëhet nga mendjemadhësia, ndërsa nëse nuk bëhet nga mendjemadhësia, atëherë është e lejuar, apo sipas disa të tjerëve e pa pëlqyer.

Transmetohet se Ebu Hanife r.a. kishte veshur një mantel me vlerë prej katërqind dinarësh që i zvarritej për toke. Një njeri e pyeti: “A nuk e kemi të ndaluar këtë? Ai iu përgjigj: Ndalesa i referohet mendjemëdhenjve, ndërsa ne nuk jemi prej të tillëve.” Këtë transmetim e përmend Ibn Muflih El-Hanbeli, nxënës i Ibn Tejmijes në librin e tij (El-Adab Esh-Sherije, 3/492). Ai më tej shton se edhe Ibn Tejmije konsideronte se kjo nuk është e ndaluar, mirëpo nuk komentoi se a është e pëlqyeshme apo jo.

Pra, mendjemadhësia është ajo që shkakton zemërimin e Allahut dhe e fut njeriun në zjarr, e jo gjatësia e rrobave. Transmetohet nga Ibn Mes’udi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Në Xhennet nuk do të hyjë ai që ka edhe një grimcë mendjemadhësie”. Një njeri pyeti: “Nëse njeriu donë që rrobat t’i ketë të bukura? Ndërsa i Dërguari i Allahu u përgjigj: Allahu është i bukur dhe e donë të bukurën. Mendjemadhësia është të mohosh të vërtetën dhe të nënçmosh njerëzit.” (Ibn Huzejme).
Gjithsesi, këtu duhet të kemi parasysh edhe rrethanat dhe traditat ku jeton njeriu.Të njëjtat veprime nuk mund të kenë të njëjtin kuptim në çdo kulturë, traditë apo vendbanim. Në kohën në të cilën jetojmë, rrobat që kalojnë zogthat, nuk konsiderohen shprehje e mendjemadhësisë.
Edh-Dhehebi regjistron në “Sijer” (6/22) se Ejub Es-Sahtijani, njëri nga tabiinët e njohur ka vesh tesha pak më të shkurtra dhe dikush e kishte pyetur për këtë, ndërsa ai ishte përgjigjur: Sot popullariteti është në shkurtimin e këtyre.
Ibn Abdulberr regjistron në “Temhid” se Sufjan bin Husejn ka thënë: “E dini se çka është pastërtia dhe ndershmëria? Kjo nuk është ruajtja e mustaqeve dhe shkurtimi i pantallonave, por ndjekja e rrugës së dijetarëve dhe njerëzve të devotshëm”.

Autorë: Dr. Edin Dediq

Përshtati: Arsim Dauti

No comments:

Post a Comment