Monday, December 21, 2015

Rrenjet e shkolles juridike hanefite




Hyrje

Pas temës së zekatit, e cila qe shtjelluar përgjatë dy viteve në revistën “Dituria Islame”, kryeredaktori i revistës në fjalë më propozoi që t’i hyja temës së namazit sipas shkollës juridike hanefite, prandaj në numrat e ardhshëm do të shtjellohet tematika e faljes së namazit konform shkollës sonë juridike, e që mendoj se është në interes të lexuesve, sidomos pas dyshimeve dhe thirrjeve të disave se kjo formë e të falurit nuk është e mbështetur në hadithet e të Dërguarit të Allahut. Madje, ajo që është më qesharake në këtë kontekst është fakti se disa e kanë paraqitur këtë formë si një shpikje nga imami i madh Ebu Hanife, duke ia atribuuar atij formën e të falurit, gjë e cila është një shpifje e qartë dhe mendoj se ata të cilët kanë bindje të tilla nuk njohin jursprudencën islame (fikhun) dhe realisht nuk njohin as fenë.

Emigrimi i sahabëve në Kufe

Këtu do të mundohem ta paraqes shkurtimisht origjinën e shkollës juridike hanefite, ku siç do të potencohet, mendimet e kësaj shkolle nuk fillojnë me Ebu Hanifen dhe nuk janë mendime të shpikura nga ai, por janë mendime që bazohen në thëniet e të Dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij. Pra, do të jetë një kronologji nga koha e të Dërguarit të Allahut deri në kohën e Ebu Hanifes, ku bëjnë pjesë një plejadë dijetarësh të pranuar nga mbarë bota myslimane, nëpërmjet një zinxhiri të pashkëputur që nga Muhamedi a.s. e deri te Ebu Hanife. Kjo sinjalizon më së miri se nga erdhën mendimet dhe opinionet e Ebu Hanifes, si dhe ku gjeti mbështetje ai.

Shkolla juridike (medhhebi) hanefite u formua në Kufe të Irakut, që ishte vendlindja e Ebu Hanifes, themeluesit të kësaj shkolle të mirënjohur. Më pas u përhap në Bagdad dhe në vendet tjera të Irakut, e pastaj edhe në vendet tjera të largëta.[1] Kufa në atë kohë ishte nga qendrat më të mëdha të dijes, shkencës dhe përparimit. Aty lulëzonte dija dhe shkenca. Dijetarët e ndryshëm mbanin ligjërata, që pothuajse shquheshin dy lëmi kryesore: ajo e Fikhut dhe Hadithit.

Për këtë lulëzim të dijes dhe përparimit të madh në Kufe, rolin kryesor e kishin luajtur dy liderët e myslimanëve (halifët); Omeri dhe Othmani. Ndërsa më vonë edhe lideri tjetër, Aliu, që Kufën do ta bënte qendër të udhëheqjes së myslimanëve (hilafetit).

Në kohën e halifit Omer, shteti Islam përjetoi një ekspansion të vërtetë dhe Islami depërtoi thellë në besimet dhe kulturat tjera gjersa u shembën edhe dy perandoritë e mëdha të asaj kohe. Omeri dërgoi sahabë të shquar nëpër vendet ku kishte depërtuar Islami. Së këndejmi, edhe në Kufa dërgoi sahabë të dalluar e të përkushtuar. Othmani, për dallim nga Omeri, u dha leje shokëve të Pejgamberit a.s. që të emigrojnë ku të duan, ndërsa Aliu, hilafetin e myslimanëve nga Medineja e zhvendosi në Kufe. Sigurisht se numri i shokëve të të Dërguarit të Allahut që udhëtuan për në Irak apo që u vendosën në Kufe qe mjaft i madh. E ajo që vlen të potencohet këtu është fakti se qindra prej tyre u vendosën në Kufe, kurse mijëra sahabë kaluan përmes Kufës. Madje, Ixhliu përmend se një mijë e pesëqind sahabë kaluan në Kufë, shtatëdhjetë prej tyre ishin pjesëmarrës të Bedrit.[2] Në Kufe pati sahabë të njohur, si Abdullah ibën Mesudi, Sa’d ibën Malik-ebi Vekkas, Hudhejfe, Ammari, Selmani, Ebi Musa dhe shumë të tjerë, nga të zgjedhurit e sahabëve.

Rëndësi të posaçme pati dërgimi i disa prej sahabëve të përzgjedhur, por lirisht mund të themi se më i veçanti i Kufës ishte Abdullah ibën Mesudi. Por kush ishte Abdullah ibën Mesudi?

Abdullah ibën Mesudi

Kur Muhamedi a.s. u dërgua Pejgamber, Abdullah ibën Mesudi ishte shumë i ri dhe ishte bari i deleve. Në takimin e parë me të Dërguarin e Allahut dhe Ebu Bekrin përderisa po ruante bagëtinë, i Dërguari i Allahut i tha: “Ti je një fëmijë i mençur.” Ky njëherit ishte fillimi i rrugëtimit të tij në Islam. Nuk vonoi shumë dhe ai u bë mysliman, ku nga një bari i thjeshtë do të shndërrohej në shërbëtor të denjë ndaj të Dërguarit të Allahut. Abdullah ibn Mes’udi ishte prej njerëzve të parë që pranoi Islamin. Ai ishte shprehur se jam i gjashti në renditje nga ata që pranuan Islamin, në kohën kur mbi shtresën e tokës nuk kishte myslimanë përveç nesh.[3]

E shoqëroi të Dërguarin e Allahut ashtu siç hija e shoqëron bartësin e saj, ku nuk u nda prej tij as në vend e as jashtë vendit, në shtëpi e as jashtë shtëpisë. E zgjonte të Dërguarin kur ai flinte, e kur nisej ia mbathte të mbathurat, gjersa kur vinte ia hiqte ato. Shkopin dhe misvakun e të Dërguarit i barte ky njeri.[4] Hynte në shtëpi të Pejgamberit kur të dëshironte, sikur të ishte shtëpia e tij. I dinte sekretet dhe fshehtësitë e të Dërguarit, madje edhe njihej si shoqëruesi i fshehtësive të Pejgamberit. Ebu Musa Esh’ariu kishte thënë: “Së bashku me tim vëlla erdhëm nga Jemeni, e Abdullah ibën Mes’udin dhe nënën e tij nuk i llogarisnim ndryshe përveç prej familjes së Pejgamberit a.s., për shkak të hyrjes dhe daljes së shpeshtë të tyre nga ai.”[5] Ndërsa sipas një transmetimi tjetër ai kishte thënë: “Qëndrova kohë të gjatë e Abdullah ibën Mesudin së bashku me nënën e tij nuk konsideroja ndryshe përpos prej familjes së Pejgamberit a.s., për shkak të hyrjes dhe daljes së shpeshtë nga familja e Pejgamberit a.s.”[6]

U edukua në shtëpinë e Pejgamberit a.s., u udhëzua sipas udhëzimit profetik, ndjeku dhe pasoi të gjitha veprimet dhe veçoritë e të Dërguarit gjersa për të u tha: “Njeriu më i afërt me Pejgamberin për nga udhëzimi dhe vlerat morale.” Ai u edukua në shkollën profetike, ndaj ishte njëri nga njohësit më të mëdhenj të Kur’anit, më i dituri për kuptimet e tij dhe më i njohuri për ligjin e Zotit.[7] Ishte recitues i njohur i Kur’anit, saqë i Dërguari i Allahut dëgjoi Kur’an prej tij, gjë që ishte e pazakontë që dëgjonte Kur’an nga të tjerët, madje përderisa dëgjonte Kur’an prej tij, lotët e kishin përshkuar fytyrën e tij. I Dërguari i Allahut për të qe shprehur: “Ai që dëshiron të lexojë Kur’an ashtu siç është zbritur le të lexojë sikur leximi i Abdullah ibën Mesudit.”[8] Për dituritë e tij rreth Kur’anit, protagonisti në fjalë qe shprehur: “Pasha Allahun që përveç Tij tjetër s’ka, nuk ka zbritur ndonjë ajet nga libri i Allahut e që unë mos ta dijë ku ka zbritur dhe për çfarë ka zbritur, e sikur ta dija se ndokush është më i ditur se unë rreth librit të Zotit, po të jetë e mundur arritja tek ai, do të shkoja.”

Imam Zerkeli, në librin e tij të mirënjohur “El-A’lam”, për Abdullah ibën Mes’udin, shprehet: “Abdullah ibën Mesudi është sahabij, nga më të njohurit e tyre, në virtyte dhe mendjehollësi, sikurse edhe në afërsi ndaj të të Dërguarit të Allahut. Është nga mekasit dhe nga të parët që pranuan Islamin. I pari që haptazi para masës lexoi Kur’an në Mekkë. Ishte shërbëtor besnik ndaj të të Dërguarit të Allahut dhe njeriu që dinte për fshehtësitë e të Dërguarit. Ishte shoqërues i tij në vend, udhëtim dhe beteja. Hynte tek ai në çdo kohë dhe gjithnjë ecte me të. Një ditë Omeri po e shikonte atë nga vinte, dhe i tha: “Erdhi i stërmbushuri me dituri.”[9] Imam Aliu kur qe pyetur për Abdullah ibën Mes’udin, u përgjigj: “Njohësi i Kur’anit dhe sunetit.”[10] Ishte prej të përgëzuarve me xhenet.

Tubimet e dijes të Abdullah ibn Mes’udit në Kufe

Në momentin kur Omeri e dërgoi Abdullah ibën Mes’udin mësues (mual-lim) dhe ministër (vezir) dhe Ammar ibën Jasirin guvernator (emir), popullit të Kufës u shkroi: “Unë kam dërguar tek ju Ammar ibn Jasirin guvernator dhe Abdullah ibn Mes’udin mësues dhe ministër, e ata dy janë nga elita e zgjedhur e shokëve të të Dërguarit të Allahut dhe nga ata që dëshmuan në Bedër, andaj pasoni ata, binduni atyre dhe dëgjoni fjalët e tyre...”[11]

Abdullah ibën Mes’udi me të shkuar në Kufe, ia filloi misionit të tij në kultivimin e shkencës së mirëfilltë Islame dhe përreth tij tuboheshin grupe të shumta nxënësish që merrnin dituritë nga njëri prej shokëve më të shquar të të Dërguarit të Allahut, i cili ishte thuajse gjithnjë pranë të Dërguarit. Abdullah ibën Mes’udi konsiderohet njëri ndër personalitetet më të mëdha në edukim dhe njëri prej atyre që ka lënë gjurmë të pashlyera në edukimin e brezave të rinj dhe në përhapjen e traditës profetike. Ai qëndroi një kohë aty para se të kthehej përsëri në Medine. Por, para se të largohet nga Kufeja, ai la pas vete plejadë dijetarësh që u edukuan prej tij, të cilët morën mësime të rëndësishme nga libri i Allahut, suneti i Resulullahut dhe thellimi në fe. Këta morën flamurin e dijes, fikhut dhe fetvave në Kufe.[12]

Banorët e Kufës në veçanti dhe ata të Irakut në përgjithësi, patën fatin që të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në tubimet e dijes nga Abdullah ibën Mes’udi. Numri i atyre që prezantonin në tubimet e tij të dijes ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe sipas disa transmetimeve ai numër kalon shifrën prej 4000 nxënës.

Nga nxënësit më të shquar dhe më të dalluar të Abdullah ibën Mes’udit ishte Alkame ibën Kajs Nehaiu, Harithi,[13] Mesruk ibën Exhda’,[14] Amër ibën Shurahbil el-Hemdanij (Ebu Mejsere),[15] El-Esved[16], Abideh, Harith ibën Kajs, Shurejh el-Kadi dhe shumë të tjerë, por, i pari prej tyre ishte më i njohuri dhe mori dituri të shumta në fikh dhe hadith, e nga ai dolën shumë juristë.[17]

Alkameh transmetonte nga sahabët në prani të ibën Mes’udit

Alkame ibën Kajs ibën Abdullah Nehaiu, nga Kufeja, njëri nga tabiinët, i cili kishte lindur gjatë jetës së Resulullahit. E shoqëroi pandërprerë Abdullah ibën Mes’udin dhe prej tij mori dijen. Vdiq mes viteve 61-73.[18] Ishte axha i Esved Nehaiut dhe daja i Ibrahim Nehaiut.

Alkameh ishte vërtet jurist i madh, e këtë e dëshmon edhe fakti se njerëzit e pyesnin atë ndonëse në prezencë të tij kishte edhe sahabë.[19] I përngjante shumë Abdullah ibën Mes’udit dhe e pasonte atë në çdo detaj nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut. Kishte reputacion dhe ishte i besueshëm tek njerëzit. Abdullah ibën Mes’udi kishte folur fjalë të mira për të, në lidhje me diturinë dhe thellimin e tij në fe. Ai transmetonte nga Omer ibën Hatabi, Othman ibën Afani, Ali ibën ebi Talibi dhe nga shumë sahabë tjerë, ndonëse në afërsi e kishte sahabiun e shquar Abdullah ibën Mes’udin.[20] Abdullah ibën Mesudi për Alkamen ishte shprehur: “Nuk di ndonjë gjë, e që të mos ketë njohuri Alkamja.” Transmeton Xheriri nga Kabusi, i cili thotë: “E pyeta babain tim: “Si po shkon te Alkamja e po  lë anash shokët e të Dërguarit të Allahut?!” Ai më tha: “O djali im, edhe shokët e të Dërguarit të Allahut e pyetnin atë, e ai kishte udhëtuar (në Sham) tek Ebu Derdaja, tek Omeri, Zejdi, tek Aisheja (në Medine), e kështu ai mblodhi dijen nga vendet e ndryshme.”[21]

Nga dija e tij e shumtë përfituan dashamirët e dijës, ata që për synim kishin pajisjen me dije të mirëfilltë islame, e më i shquari prej nxënësve të tij ishte imam Mes’udi, që ndryshe quhet edhe si “Lisanu fukahai-l Kufeh”[22] I ngjante shumë Alkames dhe e pasonte atë në udhëzimin e të Dërguarit të Allahut. Është thënë se: “Nuk kemi parë asnjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me Alkamen sikurse Nehaiu; asnjëherë nuk kemi parë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me ibën Mes’udin sikurse Alkamja; e as që kemi parë ndonjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzimin e të Dërguarit të Allahut sikurse ibën Mes’udi.”[23]

Ibrahim Nehaiu

Ibrahim ibn Jezid ibën Kajs Nehaiu, nga Kufeja. Nga dijetarët eminentë të Kufes. Mësimet në Jursprudencë (fikh) i mori nga axha i tij Alkamja dhe nga shumë nxënës të Abdullah ibën Mes’udit. Vdiq në vitin 95 apo 96. [24]

Ishte nga gjenerata e artë e tabiinëve dhe njëri nga juristët dhe personalitetet më të njohura të mbarë Irakut. I dinte mirë mendimet e Abdullah ibën Mesudit dhe ishte myfti për banorët e Kufës. Njohës i mirë i jurisprudencës dhe hadithit, ku në lëminë e hadithit takohej me Sha’biun, i cili konsiderohet njëri nga dijetarët më të mëdhenj në atë fushë. Ishte në mesin e dijetarëve si dielli në mesin e yjeve, ndaj edhe Mugire kishte thënë: “E prisnim Ibrahimin sikur pritja e sunduesit (me frikë e respekt). Kur Seid ibën Xhubejrin e pyesin banorët e irakut rreth fesë, ai u drejtohej atyre: “Po më pyesni mua e në mesin tuaj është Ibrahim Nehaiu.”[25]

Kishte shkuar tek Aisheja kur ishte i vogël, në shoqëri me Esvedin dhe Alkamen, të cilët kishte lidhje familjare, ndërsa Aisheja i donte dhe i nderonte, gjersa kishte dëgjuar e transmetuar nga sahabë të ndryshëm, si Zejd ibën Erkam, Mugire ibën Shu’be, Enes ibën Maliku dhe nga të tjerët.

Ndonëse nuk kishte jetuar gjatë, sipas një transmetimi kishte jetuar 49 vjet, e sipas një tjetri 58, sidoqoftë, ai kishte lënë gjurmë të pashlyera dhe në kohën e tij vështirë të gjindej dikush që mund të krahasohej me të. Në këtë kontekst imami i madh Shabiu ishte shprehur: “Ai nuk la pas vete dikë më të dijshëm se ai.” Dikush i tha: “As Hasen el-Basriu dhe Ibën Sirini?” Ai tha: “Po (as ata).” As nga banorët e Basrës, e as nga Kufja, e as nga Hixhazi. E sipas një transmetimi tjetër: “E as nga banorët e Shamit.”[26]

Kishte reputacion dhe dije të madhe, e kjo dëshmohet edhe nga numri i madh i nxënësve që vinin tek ai nga të gjitha anët. Hamad ibën ebi Sulejmani ishte vetëm njëri prej nxënësve të tij që ndoqën rrugën e tij.

Nehaiu porosit që të pasohet Hamadi

Hamadi, juristi më i dalluar i Nehaiut, llogaritet njëri ndër dijetarët më eminentë dhe më të mençur, i cili ka transmetuar shumë nga Enes ibn Maliku, Seid ibn el-Musejjeb, Hasen el-Basriu dhe nga shumë të tjerë. Mësimet në lëmin e Fikhut i mori nga Ibrahim Nehaiu, ku tek ai ishte më i zgjedhuri i nxënësve të tij, më i dituri, më i mençuri dhe më largpamësi në polemika dhe në mendime të lira.[27]

Ishte i zgjedhur dhe posedonte dhunti të shumta. Ishte i pajisur me njohuri të shumta dhe shquhej për inteligjencë. Ai në të gjallë të tij porositi dhe tha: “Po ju porosis ta pasoni Hamadin, ngase ai i vetëm më ka pyetur për të gjitha ato që tërë njerëzit më kanë pyetur.”[28] Ndërsa kur u pyet se pas teje kë ta pasojmë, ai tha: “Hamadin!” Ai e shihte Hamadin të përshtatshëm dhe inteligjent për dhënien e fetvave, ndonëse Hamadi ende kërkonte dituri.

Hamad ibën Selemeh për Hamadin shprehet: “Myfti i Kufës dhe personi kompetent në Fikh pas vdekjes së, njerëzit me Ibrahim Nehaiut ishte Hamad ibën ebi Sulejman të ishin të pasur.”[29]

Hamadi është njëri nga mësuesit kryesor të Ebu Hanifes dhe ky është zinxhiri që Ebu Hanife, përmes Hamadit, Nehaiut, Alkames, ndërlidhet me ibën Mesudin, e ky me Pejgamberin a.s., gjeneratë e artë e këtyre personaliteteve të rralla e të dëshmuara nga mbarë umeti, gjersa me zinxhirët tjerë ndërlidhet me Omerin dhe Abdullah ibën Abasin, përmes Ata ibën ebi Rebah-ut, sepse Ebu Hanife kishte mësuar tek ai në Mekke, e Atau kishte marrë dituri nga Abdullah ibën Abasi dhe të tjerët, dhe ndërlidhet me Omerin përmes Nafiut, personalitet tjetër shumë i rëndësishëm. Kjo është baza e shkollës juridike hanefite dhe këto janë rrënjët e kësaj shkolle.


[1]Mustafa Ahmed Zerka, El-Fikhu-l Islamij ve Medarisuhu, bot. I-rë, 1416h-1995m, darul kalem, Damask-Siri, ed-darush-shamijetu, Beirut-Liban, f. 89

[2] Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, me recenzurë të AbdulFetah Ebu Gude, el-Mektebetu Ezherijetu lit-turath, Kairo-Egjipt, pa vit botimi, f.42.

[3] Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, bot.III-të, Muessesetu Rrisaletu,1985,v. I, f. 464.

[4] Dhebebiu, Te’rihu-l Islam, bot. I-rë, 1990, dar el-kutub el-arebij, Bejrut-Liban, v. III, f. 382.

[5] Buhariu në Sahih, nr. 2460, 3763 dhe 4384.

[6] Buhariu në Fedail, nr.3763.

[7] Abdurrahman Rafet el-Basha, Suver min Hajati-s Sahabeh, bot.I-rë, Dar el-edebul Islamij, 1997, f.101-102.

[8]Taberaniu në Mu’xhemul Kebir, nr. 8338; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 1156; Tahaviu në Mushkilul Athar, nr. 5593.

[9] Zerkelij, El-A’lam, daru- l-ilm lil melajine, bot.XV-të, 2002, v.IV, f.137-138.

[10] Ibnil Xhevzi, Sifetu-s-Safvetu, v.I, f.401.

[11] Ibn Sa’d në Tabekat, 6/7-8; Hakimi në Mustedrek, v. III, f. 438, nr. 5663, i cili thotë se është autentik, e që është pajtuar plotësisht edhe Dhehebiu.

[12] Hatib, Te’rihu Bagdad, v. XII, f. 299; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f. 56.

[13] Harith ibn Kajs, el-Xha’fij, nga Kufeja. Një jurist i mirë dhe i dalluar që transmetoi nga Aliu dhe Abdullah ibën Mes’udi. Vdiq në kohën e Muavijes, aty para viteve të gjashtëdhjeta. Shih: Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f. 75-76.

[14] Ebu Aisheh, Mesruk ibën el-Exhda’ (Abdurrahman) ibën Malik, el-Hemdanij, nga Kufeja. Transmeton shumë thënie të katër halifëve. Shquhej për dituri në fetva dhe ishte adhurues i denjë. Vdiq në vitin 62 apo 63. Buhariu, Et-Te’rihu-l Kebir, v. VIII, f.35-36. Mesruku kishte thënë: “Kam parë se dija e shokëve të Pejgamberit a.s. përfundon tek gjashtë persona: “Aliu, Abdullah ibën Mesudi, Omeri, Zejd ibën Thabiti, Ebu Darda dhe Ubeje ibën Ka’bi. Pastaj gjeta se dija e e këtyre gjashtëve përfundon tek Aliu dhe Abdullah ibën Mesudi.” Ahmed Seid Havva, El-Medhal ila medhheb Ebi Hanife, bot. I-rë. 2002, Xhide-Arabia Saudite, f.56; Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, f.43.

[15] Ebu Mejsere, Amër ibën Shurahbil, el-Hemdanij, nga Kufeja. Nga të zgjedhurit e Abdullah ibn Mes’udit. Ka transmetuar nga Aisheja dhe Aliu, por edhe nga të tjerët. Ka vdekur në vitin 63. Ibën Haxher, Tehdhibu-t Tehdhib, v. IV, f. 331-332. Ka transmetuar edhe nga Omeri, Aliu, Hudhejfe dhe të tjerët.

[16] El-Esved ibën Jezid ibën Kajs Ebu Amr Nehaiu, nga Kufa, që ishte djali i vëllait të Alkames, por më i madh se Alkame dhe vëllai i Abdurrahmanit. Ishte adhurues i denjë, jurist i njohur. Aisheja, nëna e besimtarëve, e nderonte atë pa masë dhe thoshte: “Nuk ka ndonjë njeri më të ndershëm në Irak për mua sesa Esvedi. Vdiq në vitin 75. Sa’d, Tabekat, v. VI, f. 70-75; el-Axhlij, Te’rihu-th Thikat, f. 67-68. Ishte daja i Ibrahim Nehaiut: Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f.50

[17] Ibn Haxher, Tehdhibu-t Tehdhib, v. IV, f. 168; Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, v. IV, f. 64-57.

[18] Ibnil Xhevzi, Sifetu-s Safvetu, v. III, f. 27-28.

[19] Nga Kabus ibën ebi Dhabjan transmetohet të ketë thënë: “I thashë babait tim: “Për çfarë arsye shkonit tek Alkamja dhe i linit shokët e Pejgamberit a.s.?  Ai m’u përgjigj: “Unë arrita shokët e Pejgamberit a.s. që e pyesnin Alkamen dhe kërkonin fetva prej tij.” Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, v. IV, f..59.

[20] Dhebebiu, Te’rihu-l Islam, bot. I-rë, 1990, dar el-kutub el-arebij, Bejrut-Liban, v. V, f. 190; Hatib, Te’rihu Bagdad, v. XII, f. 296.

[21] Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, f.44.

[22] Dehlevi, El-Insaf, f. 33; Tehanevij, Kavaid fi Ulumi-l Hadith, f. 132.

[23] Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 7; Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 64; Salihij, Ukudu-l Xheman, f. 168.

[24] Dhehebiu, Te’rihu-l Islam, v. VI, f. 279-281.

[25] Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, Muessesetu Rrisaletu, 2001, v. IV, f. 523.

[26] Po aty, v.IV,f. 527.

[27] Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, v. V, f. 231; Ixhlij, Te’rihu-th Thikat, vëll. I, fq. 131.

[28] Dhehebiu, Sijer A’lamu-n Nubela, v. V, f. 232.

[29] Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 7; Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 64; Salihij, Ukudu-l Xheman, f. 168.


Mr. Ejup Haziri

No comments:

Post a Comment