Monday, December 28, 2015

Hoxhë Kadri Prishtina


Kontributi i Hoxhë Kadri Prishtinës në mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare


Mr. Qemajl Morina
Fakulteti i Studimeve Islame-Prishtinë 

Abstrakt
4Prijësit fetarë shqiptarë dhe përfaqësuesit intelektualë të tre besimeve më të mëdha të Shqipërisë u përfshinë në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, e cila u arrit formalisht më 28 nëntor 1912. Kontribut të veçantë në këtë aspekt dhanë edhe prijësit fetarë të besimit islam, të cilët nuk e patën të lehtë të kyçen në këtë proces, sepse ata duhet tu kundërviheshin shtetit, i cili deri pak kohë më parë kishte përfaqësuar interesat e tyre, sepse shqiptarët me pozitën e tyre në shtetin osman kishin qenë pjesëmarrës në strukturat më të larta të tij: mbi 36 sadri azemë (kryeministra), ministra, valinj, komandantë ushtarakë, shejhul islam etj.
Në mesin  e këtyre personaliteteve bën pjesë edhe Hoxhë Kadri Prishtina, i cili më mirë se çdo kush tjetër mishëron lidhjen në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai u lind në Kosovë, ku edhe kaloi një pjesë të rinisë, kurse në Shqipëri kaloi pjesën tjetër të jetës deri në vdekje.

Prijësit fetarë shqiptarë dhe përfaqësuesit intelektualë të tre besimeve më të mëdha të Shqipërisë u përfshinë në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, e cila u arrit formalisht më 28 nëntor 1912.[1] Me këtë rast nuk mund të lëmë pa përmendur aspektin kryesor, se po të mos ishin intelektualët më të mirë të tre besimeve mysliman, katolik dhe ortodoks, po të mos ishin përfshirë në rilindjen e Shqipërisë që e filloi aktivitetin e saj kryesisht pas vitit 1878 me përpjekjet e Abdyl Frashërit dhe të patriotëve shqiptarë për çlirimin e popullit shqiptar dhe trojeve të tij nga Porta e Lartë si dhe nga lakmitë grabitqare të fqinjëve, pavarësia e Shqipërisë nuk do të  bëhej realitet, njëqind vjetorin e së cilës po e festojmë në këtë vit.
Kontribut të veçantë në këtë aspekt dhanë edhe prijësit fetarë të besimit islam, të cilët nuk e patën të lehtë të kyçen në këtë proces, sepse ata duhet tu kundërviheshin shtetit, i cili deri pak kohë më parë kishte përfaqësuar interesat e tyre, sepse shqiptarët me pozitën e tyre në shtetin osman kishin qenë pjesëmarrës në strukturat më të larta të tij: (mbi 36 sadri azemë (kryeministra), ministra, valinj, komandantë  ushtarakë, shejhul islam etj.)
Në mesin  e këtyre personaliteteve bën pjesë edhe Hoxhë Kadri Prishtina, i cili më mirë se çdo kush tjetër mishëron lidhjen në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai u lind në Kosovë, ku edhe kaloi një pjesë të rinisë, kurse në Shqipëri kaloi pjesën tjetër të jetës deri në vdekje. Në Shqipëri, ai zhvilloi pjesën më të gjatë të aktivitetit të tij politik,  i cili kishte tre synime kryesore:
I pari: forcimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar, sepse pa një shtet të qëndrueshëm dhe të fuqishëm shqiptar nuk kishte mundësi të ketë një Kosovë të lirë.
I dyti: çlirimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga okupimi sllavo-grek, për ta realizuar atë, ai themeloi “Komitetin për mbrojtjen e Kosovës”.
I treti: ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve, për çka nxori revistën “Udha e s’Vërtetës”.
Jeta dhe vepra e Hoxhë Kadri Prishtinës
Hoxhë Kadriu është biri i Lutfullahut, i cili kishte nëntë fëmijë. Në vitin 1878, vit i shënuar në historinë e kombit tonë, Lutfullahut i lindi djali i parafundit, Kadriu. Ishte viti i ngjarjeve të mëdha, që synonin pikën kulmore të Rilindjes shqiptare. Kadriu i vogël u mëkëmb e hodhi shtat së bashku me ato ngjarje dramatike të Atdheut, të cilat i mbetën në kujtesë të pashlyera për tërë jetën[2].
Përgatitja shkollore
Në vitin 1885, kur Kadriu arriti moshën për shkollë, i ati e dërgoi në shkollën fillore turke të Prishtinës. Shkollën fillore dhe plotore të qytetit e kreu me sukses. Duke e parë etjen e birit për të mësuar, i ati e regjistroi në gjimnazin turk të Shkupit. Edhe në Shkup Kadriu u dallua midis shokëve për zgjuarsinë e tij dhe la mbresa te mësuesit. Zelli i Kadriut për të mësuar e shtyri Lutfullahun të mendonte mirë për të ardhmen e birit. Djalit i duhej krijuar mundësia që të vazhdonte shkollimin më tutje. Kjo ishte porosia e shokëve dhe e mësuesve për të birin.
Në atë kohë, profesioni i mësuesit si dritëdhënës i kombit, ishte një dëshirë e flaktë e të gjithë atdhetarëve, prandaj dhe Lutfullahu të birin e regjistroi në “Daru-t-Tedris”, shkollë e lartë pedagogjike në Stamboll[3].
Për dy vjet rresht ai doli i shkëlqyeshëm në shkollën e lartë pedagogjike dhe mori diplomën. Ai mësoi pedagogji, psikologji, histori, letërsi etj. Por, për Kadriun kjo shkollë dyvjeçare qe gjysmake. Ai donte të vazhdonte më tej në këtë degë, por nuk iu dha mundësia. Megjithëkëtë, u regjistrua në Medresenë Islame të Fatihut në Stamboll. Atje, përveç shkencave islame, mësoi gjuhën arabe dhe persishten. Edhe këtë shkollë e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Më 1903, në moshën 25-vjeçare, u regjistrua për të marrë provimet e drejtësisë me korrespondencë dhe më 1904 i mbaroi ato, duke marrë gradën shkencore “Profesor’’[4].
Formimi patriotik
Gjatë kohës sa vazhdonte studimet në Stamboll, ai u fut në klubet patriotike, që qenë krijuar atje. Dhe krijoi lidhje të ngushta me atdhetarë shqiptarë. Takimet dhe bisedat që zhvillonte me ta, ndikuan në formimin e tij atdhetar të mëtejshëm, për të kapur më kryesoren ndër hallkat e atdheut. Patriotët paraprijës i quajti mësues të tij, kurse dijet që përfitoi prej tyre, i vlerësoi si universitet më vete. Ai recitonte e komentonte me pasion veprat e bashkatdhetarëve, si të  Samiut, Naimit, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit etj. Për një kohë ai u bë një ndër veprimtarët më të flaktë në rrethet patriotike shqiptare të Stambollit. Tanimë, në shenjë respekti, ata filluan ta thërrisnin “Hoxha” (që në gjuhën persiane do të thotë “i ditur”, “i mësuar”, “profesor”).Në atë kohë ai zotëronte mirë frëngjishten, turqishten, arabishten, persishten, e më vonë edhe gjermanishten.
Në prill 1904, policia hyn në shtëpinë e Hoxhë Kadriut dhe mbasi kontrollon dhomën ku banonte, e arreston me pretekstin se vepronte kundër interesave të pushtetit turk, dhe e dërgon për të vuajtur dënimin në burgun e politikanëve, në Jedikule[5], ku e priste fati i keq i dhjetëra patriotëve të tjerë shqiptarë. Nga kushtet e vështira, gjatë pesë viteve, sa qëndronte në burg, Hoxhë Kadriu u sëmur, mori tuberkulozin e eshtrave, prandaj iu desh të bënte amputimin e këmbës mbi gju. Në sajë të intervenimit të shokëve të tij, Hoxhë Kadriu lirohet nga burgu më 1908, dhe kthehet në Prishtinë. Ende pa u çmallur mirë me familjen, pushteti turk e ktheu në Turqi, me motivacion se “qenka liruar gabimisht”. Internohet përsëri në Turqi, por kësaj radhe në qytetin Tokat[6]. Internimi i tij në Turqi s’e mposhti dot idealin që kishte për të realizuar synimet e tij kombëtare. Me fitoren e Revolucionit Xhonturk, Hoxhë Kadriu u gjend në liri, kurse më 1913, së bashku me të gjithë kundërshtarët e tjerë, edhe ky u internua. Papritur, në dhjetor 1913, ata morën vendimin për largimin nga Turqia të gjithë njerëzve që propagandonin kundër Perandorisë Osmane. Në fund të dhjetorit 1913, Hoxhë Kadriun e hipën me forcë në një vapor austro-hungarez për ta nxjerrë jashtë territori të Turqisë. Pas një udhëtimi të gjatë, duke u ndalur në Palestinë, Egjipt, Rumani e Austri, ai arriti në Durrës.
Kthimi në Shqipëri
Më 1914 Hoxhë Kadriu kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Shkodër. Aty u lidh me veprimtarinë që zhvillonin patriotët shqiptarë mu në atë kohë kur lakmitë e shteteve fqinje për ta copëtuar Shqipërinë ishin më të mëdha se asnjëherë më parë.
Si vendbanim, Hoxhë Kadriu zgjodhi Shkodrën, por syrin e zemrën, sigurisht, i kishte në Kosovën e pushtuar e të martirizuar. Prandaj, ai donte të ishte sa më afër saj. Në ato vite ai shkruante: “… Jam i lidhur aq fort që edhe larg saj të gjendem, shpirti dhe zemra ime do të jenë në Shkodër. Prandaj dëshiroj që Shkodra t’i afrohet flakës së zjarrit të dashtunisë të atdheut dhe të kombit dhe të ngrohet pra në këtë zjarr. Zakonet prapanike, fanatizmat fetare, frymëzimet fantastike të mos pengojnë ndriçimin e mendjes dhe ngritjen e nivelit arsimor. Në Shkodër më kanë lindur edhe më janë shfaqur dëshirat e mija, që Shkodra kundër rrymave politike dhe propagandave të dëshmonte të mos e humbasin ngjyrën kombëtare dhe për këtë qëllim të ketë gazeta, revista dhe disa shkolla që të përparojë gjuha e jonë. Në kohëra të afërta dhe të largëta të fatkeqësive, Shkodra ka qenë streha dhe krahu i kombit tonë”[7].
Gjatë qëndrimit të ushtrisë austriake në Shkodër, një ditë komisari i jashtëzakonshëm, Moiso Krajli, e kishte thirrur Hoxhë Kadriun dhe, pas një bisede të gjatë, i propozonte të punonte në ofiqet më të larta ku të dëshironte dhe ia numëroi me radhë :”Kryemyfti, drejtues i përgjithshëm i arsimit ose i drejtësisë”. Hoxhë Kadriu i refuzoi ofertat e propozuara, pasi, siç deklaroi, e kishte kuptuar se politika e Austrisë ishte kundër “independencës së Shqipërisë”. Sipas tij, këto poste ishin larg nga ideali për të cilin luftonte. Për këtë arsye ai preferoi të punonte si avokat i thjeshtë e jo të ishte në shërbim të okupatorit të vendit të tij.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”
Edhe pse Komiteti emërtohej “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës[8]”, përvoja tregon se udhëheqësit, anëtarët e tij kishin për qëllim mbrojtjen, pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar dhe se ata ishin përfaqësues të vërtetë të mbarë kombit shqiptar. Për ta ishte i dashur dhe i shtrenjtë çdo cep i atdheut, prandaj u përpoqën një lloj për paprekshmërinë e çlirimin e Shkodrës, të Vlorës, të Korçës, të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përsëri shtroi para popullit tonë problemin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Në këto kushte rritet lëvizja për të shpëtuar vendin nga copëtimi i ri dhe për bashkimin kombëtar, kështu që më 7 nëntor 1918 u formua komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”[9] i cili pati si organ të vetin gazetën “Populli”, që u botua në Shkodër nga 18 janar 1919 deri më 27 gusht 1920. Gazeta kishte kryeredaktor atdhetarin vlonjat, Salih Nivica. Ajo u ngrit fuqimisht në mbrojtje të të drejtave kombëtare, kundër planeve hegjemoniste të shteteve fqinje, dhe projekteve që hartonte Konferenca e Paqes në dëm të tërësisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Ky objektiv i Komitetit më së miri shihet nga proklamata e  janarit të vitit 1919, në të cilën shprehet qëndrimi ndaj politikës italiane dhe franceze në Shqipëri, ku në mënyrë të qartë thuhet se: “qëllimi i tij kryesor është të vendosë një Shqipëri independente, të përjashtuar nga çdo lloj protektorati, të çlirojë Kosovën e ta bashkojë  me Shqipërinë dhe se do të kundërshtojë cilindo që do t’i kundërvihet këtij qëllimi”.
New Image 1
Ulur në mes: Hoxhë Kadri Prishtina me një grup patriotësh, Shkodër 1918.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që drejtohej nga Hoxha Kadriu, luftonte jo vetëm për një Shqipëri të pavarur, por edhe për shpëtimin e Kosovës nga okupimi serb. Ai bëri një sërë protestash para Lidhjes së Kombeve kundër kolonizimit e serbizimit të Kosovës nga Krajlët e Serbisë. Kështu, në shtator të vitit 1924, komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me udhëzimet e Hoxha Kadriut, dërgoi në Gjenevë një delegacion që të protestonte pranë Lidhjes së Kombeve kundër barbarizmave të qarqeve shoviniste serbe nëpër Kosovë. Delegacionin e përbënin: Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani, të cilët paraqitën protestën. Në të, përveç të tjerash, thuhej: “…ky regjim hekuri, zjarri e grabitjeje përbën shkakun kryesor të një emigrimi në masë të popullsisë shqiptare drejt Turqisë, emigrim ky që bëhet në kushte të tmerrshme e që kushton jetën qindra familjeve dhe pjesa tjetër, që mbeten, dënohen me një mjerim të pashërueshëm….mjafton me dijtë se për mija krime të bëra në mes ditës asnjë nuk është ndjekë nga gjyqet …..Është vendi i vetëm në botë, ku mund të vriten njerëzit në prani të gjyqtarëve që heshtin”[10].
Hoxhë Kadriu e urrente diplomacinë evropiane, e cila me hipokrizinë e saj merrte nëpër këmbë të drejtat e popujve të vegjël.
Kështu, ky atdhetar i flaktë, që ishte një nga figurat më të ndritura të lëvizjes Kombëtare të Kosovës, me themelimin e komitetit në fjalë, mori përsipër një barrë të rëndë, të vështirë dhe delikate. Këtë barrë ai e mbajti deri në vdekje, me besim të patundur në fitore. Ky komitet, qëllim kryesor kishte çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e saj me Shqipërinë. Kështu shkruante edhe vet Hoxhë Kadriu: “Komiteti ynë ka për qëllim themelor bashkimin e kombit”.
Kjo del e qartë që në nenin e parë të programit ku thuhej: “Me i  dalë zot vetsundimit e tërësisë tokësore të Shqipërisë”. Për të arritur këtë qëllim e në mbështetje të nenit 1 u përcaktua rruga që duhej të ndiqej. Në nenin 2 thuhej: “Me përdorur çdo mjet për me i librue (çliruar) Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitet shqip e me i bashkue në sundim të Shqipnisë Lirë”[11]
Komiteti për “Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës”, përveç aktivitetit diplomatik në zgjidhjen e çështjes kombëtare, u drejtohej popullit me anë të  proklamatave  për  aksione luftarake, kështu shohim në një apel drejtuar popullit në gusht të vitit 1919 se koha kishte treguar se “nuk ka më njerëzi e drejtësi dhe se fjalën e mbrame do ta thotë pushka besnike e shqiptarit”.
Hoxhë Kadriu disa herë ishte zgjedhur deputet në parlamentin shqiptar dhe kishte kryer funksionin e ministrit të drejtësisë.
Pas sa e sa vuajtjesh të rënda shëndetësore, në moshën 47-vjeçare, më 20 janar 1925 kaloi në botën e amshueshme, atdhetari i madh, burrështeti, juristi në zë, organizatori i drejtësisë shqiptare, publicisti i njohur, “babai i Kosovës”, guximtari dhe njëri nga promotorët kryesorë të mendimit politik shqiptar. Ditën që vdiq Hoxhë Kadriu, nga Kosova shkruanin: “Lajmi i vdekjes së Hoxhës sonë, Kadri efendiut, babai i  të gjithë kosovarëve dhe sidomos mbështetja e të gjithë idealistëve kosovarë….na pikëlloi  dhe na hidhëroi zemrat….vdekja e të ndjerit Hoxhë nuk është dhembje pikëlluese vetëm për familjen e tij, por është për të gjithë Shqipërinë. Po sidomos për kosovarët është një humbje e madhe që s’mund të zëvendësohet”.
Me gjithë përpjekjet e shumta, Hoxhë Kadri Prishtina nuk mundi ta realizojë ëndrrën e tij që ta shohë Kosovën të pavarur, por ai trasoi rrugën për gjeneratat e mëvonshme.
Idetë Islame të Hoxhë Kadriut në revistën “Udha e s’Vërtetës”
Në dallim nga bashkëkohësit e tjerë prej dijetarëve islamë, Hoxhë Kadriu pati fat më të mirë. Për veprimtarinë patriotike të tij është shkruar si në Historinë e Shqipërisë, ashtu edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar[12], janë organizuar sesione shkencore dhe janë botuar mjaft artikuj në shtypin tonë, qoftë në Shqipëri[13], Kosovë[14], a në diasporë.
Në shumicën e shkrimeve të lartpërmendura nuk është hulumtuar një segment tejet i rëndësishëm i veprimtarisë së Hoxhë Kadriut, që është aspekti Islam i jetës dhe i veprës së këtij dijetari të madh. Bile Jup Kastrati, në kumtesën e tij me rastin e 40-vjetorit të vdekjes shkruan: “Hoxha Kadriu vërtet studioi për fe, por kurrë nuk qe fanatik. Ceremonitë fetare për të nuk kishin rëndësi. Urrente ndasitë fetare dhe punoi për bashkimin e popullit”.
Po ashtu, Eqber Skëndi në monografinë e tij të cituar më parë (që ka 216 faqe), revistës “Udha e s’Vërtetës” i kushton vetëm pesë faqe. Por, kjo nuk është për t’u habitur, kur dihet se gjatë kohës së monizmit, edhe historia tek ne ishte e ideologjizuar deri në atë masë, saqë fare pak përkonte me realitetin. Po kjo ndodhi edhe me Hoxhë Kadriun tonë.
Fakti që drejtori i policisë austriake në Shkodër, për shkak të qëndrimit dinjitoz të Hoxhë Kadriut ndaj okupimit të Austrisë, e kishte thirrur në bisedë dhe i qe drejtuar me fjalët: “Ju, Hoxhë Kadriu, po merreni me propagandën e panislamizmit dhe po krijoni një bashkim midis myslimanëve”. Në asnjë shkrim që kemi pasur rastin të lexojmë, nuk është përmendur fare kjo çështje.
Në kohën kur Hoxhë Kadriu punonte në Shkodër si avokat i thjeshtë, kishte menduar të nxirrte një revistë mujore, në të cilën të shprehte pikëpamjet e tij islame. Pasi mori leje nga përlimtarja (bashkia) e Shkodrës dhe në marrëveshje me shtypshkronjën “Ora”, vendosi të botonte në Shkodër revistën e tij mujore me titull “Udha e s’Vërtetës”. Si nga titulli i revistës, ashtu edhe nga përmbajtja e shkrimeve në të, del e qartë se ishte e pranishme fryma Islame[15] në jetën dhe veprat e Hoxhë Kadriut, të cilat do të trajtohen edhe në revistën e tij me vërtetësinë dhe sinqeritetin, me të cilin ishte gatuar jeta e tij. Nën titullin e revistës vinte motoja:”Kërkimi i së vërtetës është e drejta e mendjes”.
Revista “Udha e s’Vërtetës”ishte, siç deklaronte Hoxhë Kadriu, fletore fetaro-politiko-letrare. Në fakt ai tribunën e revistës e përdori për t’i demaskuar disa të pavërteta, të cilat kohë pas kohe plasoheshin në shtypin shqiptar të asaj kohe në dëm të fesë Islame. Ai këtë më së miri e shpreh në “Parathënie” të numrit të parë të revistës së tij[16].
Ashtu siç është traditë te dijetarët myslimanë, pas parathënies fillon me “Bismil-lahir-rrahmanir-rahim”,pastaj e falënderon “Të madhin Zot që premtoj për popullin shqiptar të shkruajë e të këndojë ky në gjuhën e vet amtare edhe të gëzojë lirinë e pavarësinë e vet”.
Pastaj i përcjell “salatet” dhe “selamet” “Muhamed Mustafas, ma të mbramit Pejgamber në fytyrë të tokës, që pranojë në vathë të vetin shumicën e madhe të shqiptarëve”.
“Është e qartë se kleri mysliman ka dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe kombit shqiptar. Në përpjekjet dhe në luftën e tij të gjatë për ruajtjen identitetit kombëtar ai ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik dhe do ta vëmë re se prania e klerikëve myslimanë është kudo e pashmangshme. Mund të fillosh nga Hoxha Tahsini i madh – erudit e  të vazhdohet me më tej me Daut efendi Boriçin (në Lidhjen e Prizrenit), me Hafiz Ibrahim Shkupin (në Kongresin e Manastirit), me myfti Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin (në shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit), me Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Ndroçin (në Kongresin e Durrësit më 1918) me Mytesim Këlliçin (në  Kongresin e vitit 1920) etj.”, shkruan Pirro Prifti  këto ditë në artikullin e tij me titull: “Kleri shqiptar – vendimtar në Pavarësinë e Shqipërisë”.[17]
Shqipëria në 100 vjetorin e saj mbetet e përçarë politikisht. Kosova vetëm katër vite më parë, pas shumë peripecive dhe krajatave mundi të arrijë pavarësinë e saj. Ndërkohë, që shqiptarët e tjerë vazhdojnë të jetojnë me statusin e pakicave në trojet  e tyre etnike, në shtetet përreth Shqipërisë. Kjo ishte e natyrshme, sepse nuk patëm një shtet të fuqishëm shqiptar gjatë njëqind vjetshit të kaluar. Andaj, në epokën e globalizmit mund të triumfojnë vetëm të fuqishmit. Për një të ardhme më të mirë lypset që spektri politik shqiptar, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës të jetë unik dhe interesat shtetërore dhe kombëtare të jenë mbi ato personale dhe partiake. Vetëm si të këtillë do të jemi  të denjë për respekt nga populli ynë, por edhe nga popujt e tjerë.*
* Marrë nga libri i konferencës shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, Tiranë 2013: 194-200.
[1]. Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 1044.
[2]. Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992, f. 9.
[3]. Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu (me rastin e 40 vjetorit të vdekjes), Buletin i ILPSH. Nr. 3, Shkodër 1965, f. 435.
[4]. Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992, f. 14.
[5]. Po aty, f. 16.
[6]. Po aty, f. 23.
[7]. Po aty, f. 29.
[8]. Lush Culaj, Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës (1918-1924),  Prishtinë, 1997.
[9]. Po aty, f. 39.
[10]. Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, kumtesë (me rastin e 40-vjetorit të vdekjes), f. 439.
[11]. Hasan Prishtina, “Përmbledhje dokumentesh”, 1908- 1934, Tiranë 1983, f. 175.
[12]. Tiranë, 1985, f. 386.
[13]. Tiranë, 1984, vëll. 3 f. 165.
– Jup Kastrati, Hoxhë Kadriu, kumtese me rastin e 40 vjetorit te vdekjes.
– Zamir Shtylla, Rreth krijimit të veprimtarisë së Komitetit MKK, Studime Historike, 1968, nr. 3, f. 434.
– Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (përmbledhje kumtesash), Tiranë, 2004.
[14]. Shkëndija, Hoxha Kadriu-atdhetar dhe demokrat i shquar (me rastin e 65 vjetorit të vdekjes), f. 6.
-Bujku,  Diplomat e dhe luftëtar për çështje kombëtare ( me rastin e 70 vjetorit te vdekjes), 20 janar 1995.
– Mr. Lush Culaj, Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës (1918-1924), Prishtinë, 1997.
– Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinë, 1992.
– Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina – mendimtar islam, Prishtinë, 2000.
[15]. Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina – mendimtar islam, Prishtinë, 2000, f. 17.
[16]. Udha e s’Vertetës, nr. 1, vjeti i I-rë, tetuer 1923, Shkodër 1923, f. 2-3.

No comments:

Post a Comment