Saturday, December 26, 2015

Hafiz Ismet Dibra


Hafiz Ismet Dibra





ismet_dibra
Hafiz Ismet Dibra
Lindi në Dibër në vitin 1886, ku kreu mësimet fillestare, pastaj Medresenë, ku mësoi përmendësh Kur’anin e madhëruar, e fitoi titullin Hafiz, një titull i nderuar.
Studimet e larta i kreu në Stamboll, në kryeqytetin e Perandorisë, por edhe pse i ofruan katedrën në një shkollë të lartë të Stambollit nuk qëndroi aty sepse kishte vendosur t’i shërbente Shqipërisë…
Dibra është vendlindja e Haxhi Hafiz Ismet Dibrës, Stambolli është vendi ku bëri studimet e larta, ndërsa Tirana është vendi ku zhvilloi veprimtarinë e tij. Revista “Zani i Naltë” është tribuna ku shpalosi njohurit e tij në fushën e legjislacionit islam, të filozofisë islame, tefsirit, hadithit, logjikës, teorikës etj. Medreseja e Naltë e Tiranës qe institucioni ku ai zbatoi në praktikë edukatën islame dhe mjeshtërinë e mësimdhënies. Kishte një kulturë të gjerë, një qëndrim demokratik dhe patriotik. Zotëronte më së miri gjuhën arabe, perse dhe atë turke (osmane).
Në mars 1923 u zhvillua Kongresi i Parë i Myslimanëve Shqiptarë në Tiranë, duke zgjedhur Kryetar të Bashkësisë Islame, Kryemyftiun Haxhi Vehbi Dibrën. Në tetor të vitit 1923 doli në dritë revista “Zani i Naltë”, organ zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Me 1 mars 1924 iu besua drejtimi i Medresesë në Tiranë z. Qamil Bala dhe në vitin 1930, kjo detyrë iu besua Hafiz Ismet Dibrës, duke u bërë drejtori i dytë i saj. Duke ndjekur traditat e të parit aktivizoi trupin mësimor, personel të përgatitur siç qenë: Hafiz Ali Korça, Haki Sharofi, Sheh Qazim Hoxha etj.
Në Medresenë e Tiranës, përveç lëndëve fetare si Kur’ani, Hadithi, Tefsiri, Fikhu… aty mësohej historia, gjeografia, aritmetika, gjeometria, etj.
Në tërë veprimtarinë e tij ai udhëhiqej nga mësimet e Kur’anit dhe në përshtatje me përbërjen e popullit shqiptar ai nisej nga toleranca në mes besimeve dhe besimtarëve. Medreseja e Tiranës, e drejtuar nga H. Ismet Dibra, ruante dhe vazhdonte traditën e edukimit të nxënësve, krahas asaj të fesë, dhe të frymës patriotike dhe kalitjes së ndërgjegjes kombëtare.
H. Ismet Dibra vizitoi edhe vendet e shenjta në Mekë dhe Medine, duke u bërë Haxhi.
Në vitet ’30 të shekullit XX zhvilloi një aktivitet të gjerë intelektual, fetar e patriotik. Janë të përmendura ligjëratat e tij të njëpasnjëshme që patën për subjekt temën “A ka dyshim në qenien e Zotit?” Në këto ligjërata Hafiz Ismet Dibra, duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit, zbërtheu shumë teza dhe koncepte që në ato vite ishin bërë objekt bisede në qarqet intelektuale. Ligjëratat bënin pjesë në luftën që kleri islam po i shpallte ideve komuniste, që kishin filluar të përhapen në Shqipëri. Hafiz Ismet Dibra iu referua shumë figurave të shquara të rrymave të ndryshme filozofike si: Dekartit, Berksonit, Spenserit etj.
Më vonë ato ligjërata u botuan në faqet e “Zanit të Naltë” dhe më 1993 u botuan edhe në Miçigan të SHBA-së. Hafiz Ismet Dibra në libër bën thirrje që të shihet e vërteta, të hiqen syzet e errëta. “Me syze të errëta, – shkruan ai, kurrë nuk mund të shikohet e vërteta.” I tërë libri argumenton shkencërisht qenien e Zotit dhe na thotë se udhëzimin mund ta marrim vetëm nga Zbulesa e Zotit, nga Kur’ani.
“Kur’ani nuk është as zbulim imi”, shkruan Hafiz Ismet Dibra, “e as thënia ime: çdo lexues e studiues serioz i Kur’anit ka kuptuar se sa më shumë që ecën në leximin e studimin e tij, aq më shumë do të gjejë (me një gëzim të brendshëm) se si ky kuptim i përgjithshëm rritet duke u rritur aftësia e tij për t’i rrokur gjërat. Është si rasti i një alpinisti që, sa më lart ngjitet në mal, aq më larg sheh…”
Pushtuesit fashistë dhe ata gjermanë, më vonë, i ofruan ofiqe dhe dekorata, por ai, ashtu si më 1919 që nuk pranoi postin e profesorit të katedrës nga Turqia, edhe kësaj radhe nuk pranoi asnjë dekorim, as post. Pushteti komunist, të cilit ai nuk iu nënshtrua, e arrestoi në 1946 në moshën 60-vjeçare dhe e dënoi pa asnjë arsye, por vetëm për bindjet e tij fetare, antimaterialiste, me 12 vjet heqje lirie, të cilat i bëri si shumë e shumë të tjerë në burgjet e diktaturës komuniste. Kështu u dënuan edhe shumë hoxhallarë të tjerë nga diktatura komuniste, siç ishin Hafiz Ali Korça, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, e shumë fetarë, dijetarë e atdhetar të tjerë…
Hafiz Ismet Dibra ndërroi jetë në Tiranë në vitin 1955,  në moshën 69 vjeçare, duke mbetur shembull frymëzimi për botën shqiptare

No comments:

Post a Comment