Thursday, December 31, 2015

Haxhi Vehbi Dibra


Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937)



haxhi-vehbi-dibra
Hoxha që punoi jo vetëm për Fe, Hoxha që veproi edhe për Atdhe…

Haxhi Vehbi Dibra lindi në vitin 1867, në Dibër të Madhe, në një familje të nderueme, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare. Është djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuem, Myfti i Dibrës së Madhe.
Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare…
Pas diplomimit, menjëherë kthehet nga Stambolli në Dibër, ku u emërue Myfti, por vepronte edhe për Shqipni…
Cila është veprimtaria e tij për Shqipni?
Veprimtaria e tij për Shqipni
Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit…
Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, madje u zgjodh kryetar i Kongresit…
Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit,Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipnisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës…
Në Qeverinë e Parë të Shqipnisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë …
Kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali, për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte…
Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipnisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipnisë…
Në vitin 1916, nuk qe e rastit apo çështje e fatit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Lartë të Sheriatit…
Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Muslimanëve Shqiptarë….
Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, Hoxha Dibran, ai që e përuroi Medresenë e Lartë në Tiranë…
Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.
Ka shkrue, ka botue shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botue në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor, 1923 deri në prill 1939…
Në vitin 1993, nën përkujdesjen e Imam Vehbi Ismailit, në Harper Woods, të Detroit-it, në shtetin Michigan, në SHBA, botohen të përmbledhuna shkrimet e Haxhi Vehbi Dibrës, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”
Janë të shënuara, kanë mbetur të paharruara, fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljës së Pavarësisë, me 28 Nëntor 1912, ku, ndër të tjera, tha:
“Kristiani e myslimani janë vëllazën shqiptarë të pandarë.”
Se kush ishte Haxhi Vehbi Dibra, në jetën e përkohshme tokësore, e përmbledhin shkurt, veprën e tij madhore, këto vargje popullore:
“N’atë Dibër, Dibër plakë
Na u rrit nji burr’i rrallë,
Që luftoi me bajrakë
Tuj i pri popullit në ballë
Në çdo Kuvend, në çdo Kongres
Zani i tij i fort kumboi
Në çdo vend e në çdo shtet
Për Shqipni u ngrit e shkoi.
Trim mbi trima Vehbi Agolli
Burrë i naltë, plot dituni
O lum Dibra që e lindi
Për flamurin kuq e zi.
Kur në popull mbante fjalë
Ai përher’i predikoi
Shqypen kemi nan’e babë
Çdo përçarje e mallkoi.
Nuk e trembi dot Sulltani
Kur me vdekje e dënoi
Nuk e trembi as Serb-Dushmani
Që aq her’ e kërkoi…!
Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë,me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…HAXHI VEHBIU NE GAZETE TE EGJIPTITHAXHI VEHBIU NE GAZETE TE EGJIPTIT

No comments:

Post a Comment