Friday, January 1, 2016

Kush është ISIS-i?



   Temë globale është “Shteti Islamik” dhe veprimet e saj, merremi me aktet e tyre të përditshme, por shumë pak qytetarë mund të dinë në esencë se si është e organizuar ISIS-i. Në këtë shkrim dëshiroj që të hedh dritë mbi organizimin apo organizatën terroriste të quajtur ISIS.

Cili është qëllimi i ISIS-it?
      ISIS apo “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit” është një organizim i armatosur që vepron në Irak dhe Siri, organizatë e cila për bazë ka ideologjinë e quajtur “selefiste”, siç kanë dëshirë të identifikohen, që në realitet janë vehabistë, organizatë e cila ka për qëllim kinse ngritjen e një shteti të sheriatit në Irak, Siri, Palestinë dhe në Jordani. Kjo organizatë ka shtrirje edhe në Libi, në Egjipt dhe në Somali: kjo si strategji e zgjerimit të saj në rajon, po ashtu kjo organizatë ka për qëllim edhe shtrirjen e saj apo gjetjen e përkrahjes edhe brenda në shtetin e Turqisë!

Kur u formua ISIS-i?
      Ai i cili vendosi strukturën e parë të ISIS-it, ai që i vendosi themelet e para ishte Ebu Muab Ezarkavi, që emri i tij i vërtetë ishte Ahmed Fadil, i cili kishte prejardhje nga Libani. Këto themele u vendosën nga ai në vitet e 90-ta në Irak, nën emrin e organizatës "Etevhid vel Xhihad". Kjo organizatë ka luajtur një rol shumë të madh në humbjet e mëdha që ka pësuar ushtria amerikane pas hyrjes në Irak, në vitin 2003. Kjo organizatë në vazhdim iu bashkua “Al Kaides” me në krye Osama bin Ladenin, që pas sulmeve të mëdha kundër “Al Kaides” dhe humbjeve të mëdha që pësuan në vitin 2006-2007 me përkrahjen kundër tyre edhe nga fiset e ndryshme atje e detyruan që të shuhet, që pastaj kjo organizatë të shfaqet prapë në vitin 2012 nën emrin "Xhebhetu Nusra" dhe në muajin shkurt të vitit 2013 u ndanë në dy grupe për shkak të mospajtimeve të brendshme: “Xhebhetu Nusra” dhe ISIS.

Kush e përkrahu ISIS-in?
      Në fillim të vitit 2012 milicia e ISIS-it hyri në Siri duke luftuar kundër Beshar Esedit edhe me përkrahjen e kundërshtarëve të Esedit, pastaj filluan të qëndrojnë mirë dhe të stacionohen në qytete të Irakut të pasura me ujë, naftë dhe me tregti kufitare. ISIS-i pati sukses të madh nga tregtia kufitare, sidomos tregtia me naftë në kufijtë e Turqisë që ka bërë të mundur që të gjithë ata që kanë ikur nga grupet e ndryshme terroriste të afrohen rreth tyre për shkak të mundësive të mëdha për pagesa të majme. Pastaj u drejtuan në disa qytete të Irakut dhe Sirisë, ku kishte synim të bëjë radikalizim të mjedisit duke organizuar vrasje të udhëheqësve sunni që ishin liberalë dhe tolerantë, ISIS-i rrëmbeu disa deputetë shiit, të cilët i dënoi me vdekje dhe vrasje kinse për shkak të dhunës kundër suunive që kanë bërë e kjo gjë rezultoi që ISIS-i të fitojë përkrahje në Irak përkundër Qeverisë shiite!

Kush janë udhëheqësit e ISIS-it?
      Në një video të shpërndarë në vitin 2006 Ebu Musab Ezarkavi njofton themelimin e "Mexhlis Shura Elmuxhahidiin" dhe më 7 qershor po të këtij viti ushtria amerikane e vret Ebu Musab Ezarkavin, të cilin e pason Ebu Hamza Elmuhaxhir. Me fillimin e luftimeve në Siri Ebu Hamza dhe Ebu Beker Elbagdadi transferohen si udhëheqës në Siri, pastaj Elbagdadi shkarkohet nga detyra, gjë të cilën nuk e pranoi dhe bëri që Elbagdadit t’i bashkohen disa përkrahës të Zavahirit të “Al Kaides” dhe në shkurt të vitit 2013 “Al Kaida” njofton se nuk e njeh këtë organizatë të quajtur ISIS, të udhëhequr nga Elbagdadi, të cilit i bëjnë thirrje të largohet nga Siria dhe se përfaqësuesi i “Al Kaides” në Siri është Xhebhetu Nusra, ku në mes këtyre dy organizatave janë zhvilluar edhe luftime të ashpra.

Cilat vende i sundon ISIS-i në Siri? 
      ISIS-i ka nën sundim pjesën lindore të Halepit në Siri dhe qytetin ErRika, qytet i pasur me naftë dhe po ashtu qytetin DiirEzZur në afërsi me kufirin me Irakun. Ndërsa në Irak ka nën sundim Mosulin, Falluxhan dhe qytetin ErRemadii. Ndërsa në kufirin me Turqinë nuk ka ndonjë hapësirë të madhe qytetesh, përveç qytetit Xherablis. Këto qytete dhe pjesë që i cekëm janë pjesët më të pasura me ujë dhe me naftë në tërë Lindjen e Mesme.

Cila është forca e ISIS-it?
      Mendohet se fuqia ushtarake e ISIS-it ka nga tridhjetë deri në katërdhjetë mijë ushtarë, në disa raporte thuhet se mbi dhjetë mijë ushtarë të ISIS-it janë nga jashtë Sirisë dhe Irakut. ISIS-i në shkollat e Irakut dhe Sirisë obligon të mësohet xhihadizmi dhe sulmet vetëvrasëse dhe kështu në dy këto shtete ka ushtarë të gatshëm vetëvrasës. Po ashtu ka ushtarë fëmijë, duke filluar edhe nga mosha 10-vjeçare!

Sa është numri i luftëtarëve turq në ISIS?
      ISIS-it dhe organizatave e grupeve të ndryshme terroriste në Siri dhe Irak iu kanë bashkuar më shumë se gjashtë mijë luftëtarë turq. Luftëtarët turq zakonisht janë si ndihmës të udhëheqësve të “Al Kaides” dhe të ISIS-it dhe jo si luftëtarë të drejtpërdrejtë në front dhe zakonisht në vijat kufitare me Turqinë. Shumë familje turke nuk tregojnë se fëmijët e tyre u janë bashkuar organizatave terroriste për shkak që të mos regjistrohen si familje terroriste. ISIS-i ka bërë të mundur fitime miliona dollarësh nga nafta, pambuku dhe tregtia kufitare me Turqinë. ISIS-i ka mundur që të fusë në Turqi shumë luftëtarë të vet dhe që organet e sigurisë nuk kanë qasje aspak në organizimet e tyre.

A ka bashkëpunim në mes të ISIS-it dhe regjimit sirian?
      Kundërshtarët e regjimit sirian akuzojnë regjimin sirian se bashkëpunon me ISIS-in me qëllim të dështimit të revolucionit sirian dhe se regjimi sirian gjithherë sulmon me shpërthime vetëm anët ku gjenden kundërshtarët e regjimit sirian e që nuk janë nga ISIS-i. Po ashtu ISIS-i naftën, të nxjerrë nga qyteti ErRika, ia shet regjimit sirian të Beshar Esedit.

Autor: Zuhdi Hajzeri

No comments:

Post a Comment