Wednesday, January 13, 2016

Leximi i Subhanekes

LEXIMI I SUBHANEKES

Hyrje
E kam trajtuar tematikën e duarve se deri ku duhet të ngrihen ato dhe ku të vendosën. Pas vendosjes së duarve nën kërthizë, fillojmë me leximin e lutjes-duasë hyrëse të namazit, e njohur si “subhaneke”, e cila lexohet në vete, pa zë, qoftë të jetë namazi i përbashkët me imam, apo edhe atëherë kur një njeri i vetëm e fal atë.
Lutja hyrëse “subhaneke”
Dijetarët kanë shpjeguar thuajse çdo gjë rreth namazit, në mënyrë që masa e gjerë t’i ketë të gatshme përgjigjet dhe të mos brengoset fare për çështjet e ndryshme që ata preokupohen rreth namazit.
Lutja-duaja hyrëse konsiderohet sunet sipas pjesës dërmuese të dijetarëve[1] dhe është quajtur “Dua el-Istiftah-دعاء الاستفتاح ”, (quhet edhe si duaja e madhërimit-دعاء التسبيح) sepse ajo bën hapjen e leximit në namaz. Zakonisht kjo lutje hyrëse në namaz bëhet pasi të merret tekbiri fillestar dhe të vendosen duart poshtë kërthizës.
Shejbani, nxënësi i Ebu Hanifes në librin e tij të njohur “el-Asl” i njohur edhe si “el-Mebsut”, thotë: “Kur njeriu dëshiron t’ia fillojë namazit, shqipton tekbirin, ngrit duart deri tek veshët dhe e thotë këtë (dua):
سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وَتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالَى جَدُّكَ وَلَا إلَهَ غَيْرُكَ
“Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”
Pastaj e thotë el-istiadhen (eudhu bilahi mine-sh shejtani-rr rraxhim) në vetvete (pa zë), po kështu vepron edhe me bismilahin (bismilahi-rr rrahmani-rr rrahim) duke e fshehur atë (pa zë), e nëse është imam në namazet ku lexohet me zë, lexon me zë, e nëse është në namazet të cilat leximi bëhet në vete, atëherë lexon në vetvete. E nëse është i vetëm në namaz, pa imam, lexon në vetvete, e po që se është në namaze të cilat leximi bëhet me zë, mund të lexojë edhe ai me zë, aq sa e dëgjojnë veshët leximin e tij (aq sa e dëgjon vetveten).”[2]
Leximi i lutjes hyrëse të namazit, gjegjësisht subhanekes, duhet të lexohet nga të gjithë falësit, pa marrë parasysh a është namazi me imam apo pa të.[3] Ndonëse sipas sunetit, kanë ardhur lutje të ndryshme gjatë fillimit të namazit, mirëpo ajo që kanë anuar më së shumti dijetarët është duaja hyrëse “subhaneke”.
Ebu Hanife dhe dy nxënësit e tij të njohur -Muhamedi dhe Ebu Jusufi-, sipas opinionit të tij të hershëm, janë të mendimit se duaja hyrëse në namaz është “subhaneke”, dhe njëherit ky është edhe mendimi kryesor i shkollës juridike hanefite për këtë çështje.[4] Më vonë Ebu Jusufi parasheh që krahas subhanekes (duasë së madhërimit- دعاء التسبيح), duhet të thuhet edhe duaja orientuese (دعاء التوجيه), gjegjësisht bashkimi i dy lutjeve[5], duke u bazuar në transmetimin e Aliut.[6] Lutja e tillë që mendon ai se duhet thënë është kjo:
إِنِّي وَجَّهْتُ وَجْهِيَ لِلَّذِي فَطَرَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ حَنِيفًا وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ
قُلْ إِنَّ صَلاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ لا شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ
“Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!”[7]
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.
Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”[8]
Pra, ai është i mendimit se duhet të bashkohet lutja e madhërimit “subhaneke” me lutjen orientuese,[9] e jo siç kanë potencuar disa se ai ka ndërruar mendimin e tij dhe ka kundërshtuar Ebu Hanifen. Ai mendimit të tij vetëm se ia ka bashkëngjitur edhe një lutje shtesë dhe asgjë më shumë. Megjithatë opinioni zyrtar dhe i pranuar në shkollën juridike hanefite është ai që thotë se duhet të thuhet lutja hyrëse e madhërimit “subhaneke”. Disa juristë të njohur të shkollës hanefite kanë debatuar rreth lutjes orientuese që ka marrë për bazë Ebu Jusufi dhe madje kanë kontestuar pjesën e fundit të lutjes “...dhe jam i pari i muslimanëve” se nuk përkon me realitetin, madje disa rreth saj janë shprehur se në rast të leximit të saj në namaz, prishet namazi, për shkak se llogaritet si përgenjështrim, sepse ai nuk është i pari i muslimanëve, ndërsa të tjerët kanë potencuar se namazi nuk prishet, për faktin se ai po lexon pjesë nga Kur’ani, e nuk po flet për vetveten.[10] Sidoqoftë, Ebu Jusufi ka përzgjedhur vetëm disa pjesë nga lutja orientuese (دعاء التوجيه), përndryshe sipas hadithit, kjo lutje është më e gjatë, ashtu siç veprojnë shafitë sot. Praktikisht stërzgjatja e lutjes para leximit të Kur’anit është jo e qëlluar dhe mjaft e vështirë për atë që e përzgjedh ta lexojë të tërën komplet. Qëllimi i lutjes para leximit të Kur’anit është përgatitja e namazfalësit për leximin e Kur’anit në vijim.
Autori i librit të njohur “el-Ihtijar”, është i mendimit se transmetimet e përcjellura nga hadithi i lutjes orientuese (دعاء التوجيه) ishte në fillim të Islamit dhe ajo u shfuqizua si e tillë në momentin kur u legjitimua lutja e madhërimit-subhanekes (دعاء التسبيح), prandaj lehtë mund të bëhet edhe pajtimi mes këtyre dy haditheve.[11]
Kush mendon se duhet të lexohet “subhaneke”?
S’ka dyshim se pjesa dërmuese e dijetarëve janë të mendimit se lutja hyrëse në namaz është subhaneke. Të këtij mendimi janë sahabët e mëdhenj si Omeri, Abdullah ibën Mesudi,[12] pastaj nga gjenerata tjetër Thevriu, Ishaku dhe nga shkollat juridike ajo hanefite dhe hanbelite.[13]
Shumica e dijetarëve, qoftë nga gjeneratat e hershme apo të mëvonshme, mendojnë se ajo që është transmetuar më së shumti në kontekstin e lutjes hyrëse të namazit është subhaneke. Edhe praktika e myslimanëve, në shumicën e vendeve, nga e kaluara dhe e tashmja, më së shumti e njeh lutjen që njihet si lutja e madhërimit, apo si “subhaneke”. Ibën Kajim el-Xhevzi për këtë lutje thotë: “Imam Ahmedi e ka përzgjedhur këtë lutje për dhjetë arsye.” Gjashtë arsye prej tyre ibën Kajimi i solli në librin e tij “Zadu-l Mead.”[14]
Në këtë kontekst Tirmidhiu mes tjerash thotë: “Shumica e dijetarëve mendojnë se duhet të thuhet subhaneke-ja, duke u bazuar në transmetimet nga Omeri dhe Abdullah ibën Mesudi se i Dërguari i Allahut thoshte: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.” Kjo praktikë (e leximit të subhanekes) ka qenë tek shumica e dijetarëve nga tabiinët dhe tek të tjerët.”[15]
Argumentet për subhaneken
Argumentet për lutjen e madhërimit që bazohen hanefitët, hanbelitët dhe shumë dijetarë nga shkollat tjera juridike, janë të shumta, e disa prej tyre do t’i paraqes këtu, duke filluar nga ky ajet kuranor:
وَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ حِينَ تَقُومُ
“...dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin tënd!”[16]
Ky ajet, sipas hanefitëve, ka të bëjë me namazfalësin gjatë hapjes apo fillimit të namazit të tij, prandaj kur ai dëshiron t’ia fillojë namazit, e hap atë me lutjen e madhërimit (subhanekes). Kështu ka përcjellur Xhessasi nga Dahaku e ky nga Omeri se ky ajet ka të bëjë me lutjen e namazfalësit gjatë fillimit të namazit. Këtë e forcon edhe më tepër transmetimi i Aliut dhe Abdullah ibën Mes’udit, por edhe i Omerit, se i Dërguari i Allahut gjatë fillimit të namazit e thoshte lutjen e madhërimit (subhaneken).[17]
Argumenti në vijim është transmetimi i Aishes, në sunenin e Ebu Davudit dhe të tjerëve:
حَدَّثَنَا الْحُسَيْنُ بْنُ عِيسَى، ثنا طَلْقُ بْنُ غَنَّامٍ، ثنا عَبْدُ السَّلَامِ بْنُ حَرْبٍ الْمُلَائِيُّ، عَنْ بُدَيْلِ بْنِ مَيْسَرَةَ، عَنْ أَبِي الْجَوْزَاءِ، عَنْ عَائِشَةَ، قَالَتْ: كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا اسْتَفْتَحَ الصَّلَاةَ، قَالَ: «سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وَتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالَى جَدُّكَ وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ».
Na ka treguar Husejn ibën Isa, na ka treguar Talk ibën Gannam, na ka treguar Abduselam ibën Harb el-Mulaij nga Budejl ibën Mejsereh, ky nga ebu-l Xhevza e ky nga Aisheja e cila thotë: “I Dërguari i Allahut kur ia fillonte namazit, thoshte:“Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”[18]
Hadithi i radhës është në koleksionin e Ibën Maxhes, i transmetuar nga Ebu Seid el-Hudrij:
حَدَّثَنَا أَبُو بَكْرِ بْنُ أَبِي شَيْبَةَ، حَدَّثَنَا زَيْدُ بْنُ الْحُبَابِ، حَدَّثَنِي جَعْفَرُ بْنُ سُلَيْمَانَ الضُّبَعِيُّ، حَدَّثَنِي عَلِيُّ بْنُ عَلِيٍّ الرِّفَاعِيُّ، عَنْ أَبِي الْمُتَوَكِّلِ عَنْ أَبِي سَعِيدٍ الْخُدْرِيِّ، قَالَ: كَانَ رَسُولُ اللَّهِ - صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ - يَسْتَفْتِحُ صَلَاتَهُ يَقُولُ: "سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، تَبَارَكَ اسْمُكَ، وَتَعَالَى جَدُّكَ، وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ"
Na ka treguar Ebu Bekër ibën ebi Shejbe, na ka treguar Zejd ibën el-Hubab, na ka treguar Xhafer ibën Sulejman ed-Dabeij, na ka treguar Alij ibën Alij er-Rrifaij nga ebi-l Mutevekkel e ky nga ebu Seid el-Hudrij i cili thotë: “I Dërguari i Allahut kur fillonte (hapte) namazin, thoshte: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”[19]
Transmetimi vijues është nga Abdullah ibën Mesudi, i cili ndodhet në koleksionin e Taberanit:
حَدَّثَنَا أَحْمَدُ بْنُ دَاوُدَ الْمَكِّيُّ، ثنا ثَوْبَانُ بْنُ سَعِيدِ بْنِ عَرُوبَةَ، ثنا عَلِيُّ بْنُ عَابِسٍ، عَنْ أَبِي إِسْحَاقَ، عَنْ أَبِي عُبَيْدَةَ، عَنْ عَبْدِ اللهِ بْنِ مَسْعُودٍ قَالَ: " كَانَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَأْمُرُنَا إِذَا اسْتَفْتَحْنَا أَنْ نَقُولَ: سُبْحَانَكَ اللهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، وَتَبَارَكَ اسْمُكَ، وَتَعَالَى جَدُّكَ، وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ
Na ka treguar Ahmed ibën Davud el-Mekkij nga Thevban ibën Seid ibën Arubeh, ky nga Alij ibën Abis, ky nga ebu Ishaku, ky nga ebu Ubejdeh e ky nga Abdullah ibën Mesudi, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut na urdhëronte neve që kur t’ia fillonim namazit, të thonim: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”[20]
Ebu Jusufi dhe Muhamedi, dy nxënësit më të njohur të Ebu Hanifes transmetojnë që të dytë në librat e tyre “el-Athar”, se Omeri kishte lexuar lutjen e madhërimit në namaz dhe atë ua kishte mësuar njerëzve:
مُحَمَّدٌ، قَالَ: أَخْبَرَنَا أَبُو حَنِيفَةَ، عَنْ حَمَّادٍ، عَنْ إِبْرَاهِيمَ، أَنَّ نَاسًا مِنْ أَهْلِ الْبَصْرَةِ أَتَوْا عُمَرَ بْنَ الْخَطَّابِ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ لَمْ يَأْتُوهْ إِلَّا لِيَسْأَلُوهُ عَنِ افْتِتَاحِ الصَّلَاةِ قَالَ: فَقَامَ عُمَرُ بْنُ الْخَطَّابِ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ فَافْتَتَحَ الصَّلَاةَ، وَهُمْ خَلْفَهُ ثُمَّ جَهَرَ، فَقَالَ: «سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وَتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالَى جَدُّكَ وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ»
“Na ka treguar Ebu Hanife nga Hamadi e ky nga Ibrahimi se një grup nga banorët e Basrës shkuan tek Omeri dhe ata nuk shkuan për tjetër gjë përveçse ta pyesnin atë se çfarë të thuanin kur ia fillonin namazit. Omeri doli para tyre, ia filloi namazit e ata ishin pas tij, më pas shqiptoi me zë:“Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”[21]Muhamedi (Shejbani) më pas thotë: “Këtë lutje e marrim për bazë në hapjen e namazit, mirëpo nuk mendojmë se lutja të bëhet me zë nga imami e as nga xhemati pas tij, e Omeri kishte vepruar kështu që t’i mësojë ata për pyetjen që ia kishin parashtruar atij. Kështu na është është transmetuar edhe nga Ibrahimi dhe njëherit ky është opinioni i Ebu Hanifes.[22]
Në shumë raste përmendet se Omeri pas tekbirit fillestar e kishte kënduar lutjen “Subhaneke...” Esved ibën Jezidi thotë: “Jam falur më tepër se shtatëdhjetë herë pas Omerit që pas tekbirit fillestar e lexonte subhaneken.”[23] Ndonëse nga suneti është që ajo lutje të bëhet pa zë. Por veprimi i Omerit nuk duhet të shihet si një risi-bidat që kundërshtoi sunetin, por shihet si mësim për njerëz dhe në bazë të rrethanave ekzistuese ku një veprim i tillë qe bërë për shkak të kushteve të veçanta në atë kohë. Sigurisht se kishte vërejtur që njerëzit pas tekbirit nuk po lexojnë ndonjë dua, andaj leximi i duasë me zë ishte vetëm sa për informim se çfarë duhet thënë pas tekbirit.
Kundërshtarët janë munduar të gjejnë dobësi tek transmetimet e shumta prej Omerit rreth lutjes së madhërimit, duke thënë se janë transmetime mevkufe apo të dobëta, mirëpo realiteti është se shumë prej tyre janë transmetime autentike, të pranuara dhe të dëshmuara nga dijetarët e njohur.
Bejhekiu në koleksionin e tij sjell transmetime të ndryshme që dëshmojnë se Omeri pas tekbirit lexonte subhaneken:
أَخْبَرَنَاهُ أَبُو عَبْدِ اللهِ الْحَافِظُ، ثنا أَبُو الْعَبَّاسِ مُحَمَّدُ بْنُ يَعْقُوبَ، ثنا الْحَسَنُ بْنُ مُكْرَمٍ، ثنا يَزِيدُ يَعْنِي ابْنَ هَارُونَ، أنبأ شُعْبَةُ، عَنِ الْحَكَمِ، عَنْ إِبْرَاهِيمَ، عَنِ الْأَسْوَدِ، أَنَّ عُمَرَ بْنَ الْخَطَّابِ رَضِيَ اللهُ عَنْهُ حِينَ افْتَتَحَ الصَّلَاةَ كَبَّرَ ثُمَّ قَالَ: " سُبْحَانَكَ اللهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، وَتَبَارَكَ اسْمُكَ، وَتَعَالَى جَدُّكَ، وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ "
Na ka treguar Ebu Abdullah el-Hafidh, na ka treguar Ebu-l Abbas Muhamed ibën Jakub, na ka treguar el-Hasen ibën Mukrem, na ka treguar Jezid ibën Harun, na ka lajmëruar Shu’be, nga Hakimi, ky nga Ibrahimi e ky nga Esvedi, se Omeri kur ia fillonte namazit, shqiptonte tekbirin dhe thoshte: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.” [24]
Darekutni pasi që transmeton në koleksionin e tij për leximin e lutjes së madhërimit nga Omeri:
حَدَّثَنَا أَبُو بَكْرٍ النَّيْسَابُورِيُّ، نا أَحْمَدُ بْنُ مَنْصُورٍ، نا ابْنُ أَبِي مَرْيَمَ، نا يَحْيَى بْنُ أَيُّوبَ، حَدَّثَنِي عُمَرُ بْنُ شَيْبَةَ، عَنْ نَافِعٍ، عَنِ ابْنِ عُمَرَ، عَنْ عُمَرَ، أَنَّهُ كَانَ إِذَا كَبَّرَ لِلصَّلَاةِ، قَالَ: «سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وَتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالَى جَدُّكَ وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ».
Na ka treguar Ebu Bekër en-Nisaburij, na ka treguar Ahmed ibën Mensuri, na ka treguar ibën ebi Merjem, na ka treguar Jahja ibën Ejub, na ka treguar Omer ibën Shejbeh nga Nafiu, ky nga ibën Omeri e ky nga Omeri se ai pasi që shqiptonte tekbirin për namaz, thoshte: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.” Më pas Darekutni, thotë: “Kjo është e vërteta rreth fjalëve të Omerit!”[25]
Darekutni në Sunen në këtë çështje sjell edhe transmetimin e Enesit:
نا أَبُو مُحَمَّدِ بْنُ صَاعِدٍ، نا الْحُسَيْنُ بْنُ عَلِيِّ بْنِ الْأَسْوَدِ الْعِجْلِيِّ، ثنا مُحَمَّدُ بْنُ الصَّلْتِ، حَدَّثَنَا أَبُو خَالِدٍ الْأَحْمَرُ، عَنْ حُمَيْدٍ، عَنْ أَنَسٍ، قَالَ: كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا افْتَتَحَ الصَّلَاةَ كَبَّرَ ثُمَّ رَفَعَ يَدَيْهِ حَتَّى يُحَاذِيَ إِبْهَامَيْهِ أُذُنَيْهِ ثُمَّ يَقُولُ: «سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ وَتَبَارَكَ اسْمُكَ وَتَعَالَى جَدُّكَ وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ»
Na ka treguar Muhamed ibën Said, na ka treguar el-Husejn ibën Alij ibën el-Esved el-Ixhlij, na ka treguar Muhamed ibën es-Salti, na ka treguar Ebu Halid el-Ahmer nga Humejdi e ky nga Enesi i cili thotë: “I Dërguari i Allahut kur ia fillonte namazit shqiptonte tekbirin, ngriste duart e tij gjersa gishtërinjët e mëdhenj ishin pranë veshëve të tij e më pas thoshte: “Subhãneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.”[26]
Argumenti tjetër që përdorin hanefitë, përveç këtyre që i cituam sipër është edhe ai logjik se lutja e madhërimit ka të bëjë me falënderim ndaj Zotit të Madhërishëm dhe në vete ajo ngërthen elemente shumë të rëndësishme siç janë madhërimi, falënderimi dhe njëshmëria, përkundër lutjeve tjera në këtë kontekst që përmbajnë vetëm lutje të përgjithshme, prandaj madhërimi i Zotit është më i vlefshëm se sa lutja apo ndonjë përshkrim sikurse në ruku siç thonë disa: “Allahumme leke reka’tu-O Allah për ty po bëj ruku.[27] Në këtë aspekt kaptina el-ihlas është cilësuar si një e treta e Kur’anit, sepse ajo pastër përshkruan Mëshiruesin dhe ia atribuon cilësitë e Tij.
Ibën Kajimi kur bën analogji mes lutjeve të ndryshme që kanë ardhur gjatë hapjes, gjegjësisht fillimit të namazit, thotë: “Lutjet tjera të ardhura për hapjen e namazit, janë të përgjithshme dhe ato janë për namazin e natës ose namazin vullnetar (nafile), e këtë lutje (subhaneke) Omeri e praktikonte dhe ua mësonte njerëzve në namazin obligativ (farz). Po ashtu kjo lutje ngërthen në vete një falënderim ndaj Krijuesit duke treguar për karakteristikat e cilësive të përsosura të Zotit të Madhërishëm, përderisa lutja orientuese (دعاء التوجيه), ka më tepër karakter informues ndaj adhurimit që bën robi, e mes tyre ka dallim të madh. Gjithashtu sipas tij, ai i cili e përzgjedh lutjen orientuese, nuk e plotëson të tërën, por vetëm disa pjesë prej saj dhe pjesën tjetër e lë, konform lutjes së madhërimit ku lexohet e tëra deri në fund.”[28]
Përfundim
S’ka dyshim se lutja e madhërimit, e njohur si subhaneke, është ndër lutjet që argumentet për të janë të shumta dhe që transmetohen nga sahabë të njohur, si Omeri, Abdullah ibën Mesudi, pastaj Aisheja dhe gjeneratat pas sahabëve me shumicë, ashtu siç ka potencuar edhe Tirmidhiu se shumica absolute nga të gjitha gjeneratat e njihnin dhe e praktikonin më së shumti lutjen e subhanekes. Prandaj, gjatë hapjes së namazit, gjegjësisht pas tekbirit fillestar, tekstet që preferojnë më së shumti të lexohet është pikërisht ajo lutje.

[1] Me përjashtim të malikive, të cilët mendojnë se lutja hyrëse në namaz është veprim i papëlqyer (mekruh). Ndoshta bazohen në hadithin e keqfalësit të namazit, ku i Dërguari i Allahut e urdhëroi të merrte tekbir dhe të lexonte Kur’an, pa i përmendur lutjen hyrëse. Apo edhe në hadithin e Enesit, i cili thotë: “Jam falur pas Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit, që të gjithë e fillonin namazin me elhamdulilahi rabbil alemine.” Karafi, Edh-Dhehireh, v.II, f.187; Derdir, Akrebu-l Mesalik, v.I, 224.
[2] Muhamed ibën el-Hasen esh-Shejbani, El-Asl (i njohur si el-Mebsut), me recenzurë nga Ebu-l Vefa el-Afgani, Idaretu-l Kur’ani ve-l Ulumi-l Islamijeh, Karaçi-Pakistan, v.I, f.3-4.
[3] Alaudin es-Samerkandij, Tuhfetu-l Fukaha’, bot. II-të, Daru-l Kutub el-Ilmijeh, Bejrut-Liban, 1414-1994, v.I, f.127.
[4] Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, bot.II-të, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1406-1986, v.I, f. 202.
[5] Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Mevsilij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, me recenzurë nga Shuajb Arnaut, bot.I-rë, Daru-r Rrisaleh el-Alemijeh, Damask, 1430-2009, v.I, f.165.
[6] Muhamed ibën Mahmud el-Baburti, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, Daru-l Fikr, v.I, f.288.
[7] Kur’ani, El-Enam: 79.
[8] Kur’ani, El-Enam: 162-163.
[9] Sipas Ebu Jusufit së pari lexohet subhanekeja, e pastaj lutja tjetër, por namazfalësi edhe mund të përzgjedh se cilën ta lexoj së pari.
[10] Muhamed ibën Mahmud el-Baburti, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.I, f.288.
[11] Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Mevsilij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, v.I, f.166.
[12] Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 202.
[13] Ibën Kudame, El-Mugni, v.II, f.142.
[14] Ibën Kajjim el-Xhevzi, Zadu-l Mead, v.I, f.154.
[15] Tirmidhiu në Sunen, v.I, f.409.
[16] Kur’ani, Tur: 48.
[17] Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, v.I, f. 202.
[18] Ebu Davudi në Sunen, nr.776. Hadithologu i njohur Shuajb Arnauti në vlerësimin e haditheve të Sunenit të Ebu Davudit, për vlerësimin e këtij hadithi thotë se është sahih ligajrihi. Shih: Sunen Ebi Davud, me recenzurë nga Shuajb el-Arnaut, bot.I-rë, Daru-r Rrisaleh el-Alemijeh v.II, f.83, hadithi nr.776. Edhe Albani në vlerësimin e tij për këtë hadith të Sunenit të Ebu Davudit, thotë se hadithi është autentik-sahih. Shih Sunen Ebi Davud, v.I, f.206 Hadithin e transmeton edhe Hakimi në el-Mustedrek ale-s Sahihajn, nr. 859 dhe thotë: “Ky hadith është autentik (sahih), ndonëse nuk e kanë nxjerrë këtë hadith as Buhariu dhe Muslimi.”(Hakimi ka përpiluar hadithet që plotësojnë kriteret e vendosura nga Buhariu dhe Muslimi, mirëpo që nuk janë të përfshira në koleksionet e tyre) Shih: Hakim en-Nisaburi, el-Mustedrek ale-s Sahihajn, me recenzurë nga Mustafa Abdulkadir Ata, bot. I-rë, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1411-1990, v.I, f.360. Hadithin e transmeton edhe Tirmidhiu në Sunen, nr.243 dhe thotë: “Këtë hadith nuk e njohim nga Aisheja, përveçse në këtë formë.” Ndërsa Albani pasi që thotë se hadithi është autentik, i kundërpërgjigjet Tirmidhiut duke thënë: “E kanë njohur të tjerët, përveç tij, edhe format tjera të këtij hadithi.” Irvau-l Galil, v.II, f.50.
[19] Ibën Maxheh në Sunen, nr.804. Hadithologu i njohur Shuajb Arnauti në vlerësimin e haditheve të Sunenit të Ibën Maxhes, për vlerësimin e këtij hadithi thotë se është sahih ligajrihi. Shih: Sunen Ebi Maxheh, me recenzurë nga Shuajb el-Arnaut, bot.I-rë, Daru-r Rrisaleh el-Alemijeh, bot.I-rë, 1430-2009. v.II, f.6. Albani për këtë hadith thotë se është i kategorisë sahih-autentik. Shih Sunen ebi Maxheh, me recenzurë nga Muhamed Fuad AbdulBaki, Dar Ihjai-l Kutub el-Arabijeh, v.I, f.264.
[20] Taberani në Mu’xhemu-l Kebir, nr.10280. Nuk jam ndalur në vlerësimin e dijetarëve të këtij hadithi, mirëpo dihet mirë se opinioni i Abdullah ibën Mesudit, transmetuesit të këtij hadithi, është i qartë për leximin e subhanekes.
[21] Ebu Jusufi në el-Athar, nr.101, f.21; Muhamedi në el-Athar, nr. 72, v.I, f.122. Teksti është i Muhamedit.
[22] Muhamed ibën Hasen Shejbani në el-Athar, v.I, f.122.
[23] Muslimi në Sahihun e tij.
[24] Bejhekiu në Sunen, nr. 2350, 2358.
[25] Darekutni në Sunen, nr. 1143, 1144
[26] Darekutni në Sunen, nr.1148.
[27] Zejlei, Tebjinu-l Hakaik sherh Kenzu-d Dekaik ve Hashijetu-sh Shilbij, bot. I-rë, el-Matbeatu-l Kubra el-Emirijeh, Kairo, 1313h, v.I, f.111.
[28] Ibën Kajim el-Xhevzij, Zadu-l Mead fi hedji hajri-l ibad, bot. XXVII-të, Muesesetu-rr Rrisaletu, Bejrut, 1415-1994, v.I, f.199.

Mr. Ejup Haziri

No comments:

Post a Comment